(i perditesuar) MALI I ZI – Mbrëmjen e së premtes, rreth orës 18:00, një autobus me turistë shqiptarë është aksidentuar në Malin e Zi. Ata ktheheshin nga Dubrovniku në drejtim të Tiranës. Mësohet se autobusi me targa të Shqipërisë AA 581 JX, që drejtohej nga shtetasi Shkëlqim Cali, ka dalë nga rruga në vendin e quajtur Fusha e Mërkotit, mes Tivarit dhe Ulqinit.

Sipas të dhënave të policisë, në autobus udhëtonin 57 pasagjerë, të cilët ishin nisur nga Tirana drejt Dubrovnikut në 24 dhjetor dhe sot po ktheheshin drejt kryeqytetit. Si pasojë e aksidentit një vajzë 25-vjeçare ka humbur jetën dhe dhjetëra pasagjerë të tjerë janë plagosur. Pasagjerët që janë plagosur më lehtë u dërguan në spitalin e Tivarit, ndërsa 4 personat që kanë marrë plagë më të rënda u nisën drejt qendrës spitalore në Podgoricë.

Paraprakisht, aksidenti dyshohet të jetë shkaktuar si pasojë e terrenit të vështirë që paraqet ky segment rrugor, por edhe për shkak të kushteve klimaterike. Dyshohet që rruga të jetë përfshirë nga ngricat dhe drejtuesi i autobusit, Shkëlqim Cali, të ketë humbur kontrollin duke përfunduar jashtë rruge. Mesohet se e reja qe ka humbur jeten eshte me inicialet I.K.

Mësohet se autobusi me shqiptarë është aksidentuar rëndë, saqë policisë i është dashur kohë për të nxjerrë të gjithë pasagjerët nga mjeti, pasi shumë prej tyre kishin mbetur të bllokuar.
Shqiptarët kishin kaluar Krishtlindjen në Dubrovnik të Kroacisë dhe ishin duke u kthyer në Tiranë përmes Malit të Zi. Udhëtimi ishte organizuar nga agjencia turistike “Kalemi Travel and Tours”, e cila kishte kontraktuar edhe autobusin “Klid Balkan Interbus” me targa AA 581 JX.

LISTA E PASAGJEREVE

Remzi Nurka, Jarina Radovani, Aleks Manoli, Jomida Deda, Arber Taledhi, Jani Qendro, Ermal Dhembo, Nurina Kaca,  Sheri Reka,  Edona Mulla, Jymir Xatoksi, Eralda Meho, Durja Canaj, Ndue Camaj, Ariela Qendro, Kristofor Moviti, Sibela Feti, Klevik Peskani, Irena Nurka, Nesad Didrek, Kriselda Veisi, Marika Hormoviti, Luljeta Camaj, Klavdia Ndreu, Iman Kaca, Leonora Ndreu, Neshat Ndreu, Ejdon Kuca, Elisa Kuca, Enadija Kuca dhe Doruntina Kuca.

Ministria e Punëve të Jashtme është vëne në dijeni nga autoritetet malazeze dhe nga stafi i Ambasadës sonë në Podgoricë për një aksident rrugor të ndodhur sot në aksin Tivar-Ulqin, ku një autobus që udhëtonte nga Dubrovniku në drejtim te Tiranës ka devijuar nga rruga.

DEKLARATA E MINISTRISE SE JASHTME NE OREN 24:00: JA NUMRI I KONTAKTIT PER FAMILJARET QE INTERESOHEN

Sipas të dhënave të deritanishme të transmetuara nga autoritete malazeze, në këtë aksident janë përfshirë rreth 30 shtetas shqiptarë prej të cilëve njëri prej tyre ka humbur jetën. Familjaret e interesuar mund të kontaktojnë në numrin +355676060502

Stafi i Ambasadës sonë në Mal të Zi ndodhet aktualisht në vendin e ngjarjes për t’iu gjendur pranë shtetasve tanë në bashkëveprim me autoritetet malazeze dhe për të ndjekur nga afër situatën pranë qendrave shëndetësore ku po i jepet ndihma e parë qytetarëve tanë.

Menjëherë pas njoftimit, me urdhër të Ministrit te Punëve te Jashtme, është ngritur në Ministrinë e Punëve të Jashtme njësia e koordinimit, e cila po ndjek dhe vlerëson hap-pas hapi të gjithë situatën. Njëkohësisht, me urdhër të Kryeministrit, është nisur drejt vendit te ngjarjes Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj.

Në komunikimin që Ministri Bushati pati me homologun e tij malazez z.Luksic, u garantua nga ky i fundit për angazhimin maksimal të autoriteteve malazeze për dhënien e ndihmës së nevojshme për te gjithë shtetasit tanë. Ministria e Punëve të Jashtme do të vijojë të informojë në vijimësi opinion publik mbi ecurinë e situatës.

MINISTRI BEQAJ DREJT MALIT TE ZI
Ndërkohë ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është nisur në mbrëmje drejt Malit të Zi. Në një komunikim telefonik në “News24”, ministri Beqaj deklaroi se vetëm njëri prej të plagosurve është në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët nuk janë në gjendje kritike. “Kam informacion të pjesshëm. Di që ka një fatalitet deri tani, një humbje jete. Një person është në gjendje të rëndë, të tjerët nuk janë në gjendje kritike.”- deklaroi ministri Beqaj.

MPJ: NJE GRUA KA HUMBUR JETEN
Fillimisht, mediat malazeze raportuan se një fëmijë kishte humbur jetën në aksident, por autoritetet shqiptare kanë përgënjeshtruar lajmin, duke konfirmuar se viktimë ka mbetur një grua. Në një komunikim në “News24”, këshilltari për mediat në MPJ, Glevin Dervishi bëri të ditur se autoritetet janë duke ndjekur nga afër situatën, ndërsa drejt Malit të Zi janë nisur edhe dy autoambulanca nga qyteti i Shkodrës. Sipas MPJ-së, nga informacionet e deritanishme, dyshohet se shkak i  aksidentit kanë qenë kushtet e vështira klimaterike.

MPB: DREJTUES TË POLICISË SË SHKODRËS NË MALIN E ZI
Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se është në kontakt me autoritet e Malit të Zi për të marrë informacion lidhur me aksidentin e ndodhur sot pasdite, ku një autobus me shtetas shqiptarë ka dalë nga rruga.
Sipas MPB-së, “nga informacionet paraprake rezulton se: Autobusi me targa “AA581JX”, me drejtues shtetasin Shkëlqim Cali dhe afërsisht 57 pasagjerë në bord ka qenë duke u kthyer nga Dubrovnik në Kroaci. Në segmentin rrugor Ulqin-Tivar automjeti ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka gjetur vdekjen një shtetase e moshës 25-30 vjeç. Katër pasagjerë janë dërguar me urgjencë në Podgoricë pasi kanë qenë në gjendje të rëndë për jetën. 13 pasagjerë të tjerë janë në spitalin e Tivarit ku po marrin mjekim e duhur, ndërsa pjesa tjetër e pasagjerëve janë jashtë rrezikut për jetën me dëmtime të lehta”.
Ministria e Punëve të Brendshme ka dërguar në Malin e Zi drejtues të policisë së Shkodrës për të ndjekur nga afër situatën dhe marrë më shumë informacion lidhur me ngjarjen. Po ashtu MPB është duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.

(ar.sh/er.nu/d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb