TIRANË-Një vajzë është vënë në pranga ditën e sotme si shkaktare e aksidentit të djeshëm në Tiranë, ku humbi jetën një fëmijë. Uarda Cota, 29 vjec u arrestua në flagrancë pasi nga hetimet paraprake dyshohet se në gjendje të dehur ka drejtuar një automjet që më pas aksidentoi për vdekje automjetin ku udhëtonte Rubin Peka, 11 vjec, djali i ish-zv/ministrit të Brendshëm, Avenir Peka.

“Ora 01.00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetases Uarda Eduart Çota, 29 vjec, banues në Tiranë, sepse më datën 29.12.2014, rreth orës 20.00, në rrugën “Unaza e Re”, ku kryqëzohet me rrugën “ Medar Shtylla”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”,  me targë EN 07 XNR, në gjendje të dehur, ka goditur mjetin “Chrysler”, me targa AA200AR, Enkeleda Ylvi Peka, 37 vjec, banuese në Tiranë, për pasojë ka gjetur vdekjen e shtetasi i mitur R.P, si dhe është dëmtuar shtetasi I.P. Nenet 290 e 291 të K.Penal”, bën me dije Policia e Tiranës.

AVENIR PEKA: MË IKU DRITA E SYVE
“Me iku drita e syve. U prehsh në paqe shoku im”, ishin këto pak fjalë që ish-zëvendësministri i Brendshëm Avenir Peka shkroi në rrjetin social Facebook, duke postuar dhe fotot e të birit. Dhimbja e madhe për humbjen e të voglit in është përcjellë Z.Peka nga shumë të afërm, miq që ngushëllojnë në murin e Facebook.
NGJARJA
Ngjarja u shënua rreth orës 20:20 në zonën e Kopshtit Botanik në kryeqytet. Rubin Peka, 11 vjeç, ka mbetur i vdekur pasi makina me të cilën udhëtonte bashkë me nënën e tij u godit nga pas me forcë të madhe nga një mjet tjetër me targa angleze. Enkelejda Peka, bashkëshortja e ish-zv.ministrit Avenir Peka, ka qenë duke drejtuar makinën tip ”Chrysler” me targë AA 200 AR.

Ajo kishte edhe dy djemtë në makinë, Rubin 11 vjeç dhe djalin tjetër I. Peka, 8 vjeç. Bashkë me ta, drejtuesja e mjetit kishte marrë me vete edhe nipin e saj, 11 vjeç, A. Bylykbashi. Gjatë lëvizjes në rrugë, në një pjesë të aksit ku po bëhen punime, mjeti tip “Chrysler” është goditur nga pas në mënyrë të papritur nga makina tip “Benz” me targë angleze EN07XNR.

Si pasojë e përplasjes së fortë, të dyja makinat kanë dalë nga rruga dhe kanë rënë në një gropë të madhe të gjerë në anë të aksit ku ndodhi aksidenti. Makina ku ndodheshin viktima dhe të plagosurit ka rënë poshtë në tabanin e gropës, ndërsa Benzi ka mbetur pjerrët në njërën anë të saj ngjitur pas makinës ”Chrysler”.
Pas sinjalit të marrë në lidhje me aksidentin, forca të shumta të policisë kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Menjëherë janë nisur drejt spitalit për ndihmë mjekësore të gjithë personat e plagosur. Drejtuesja e makinës ”Chrysler”, shtetasja Enkelejda Peka, së bashku me djalin 8-vjeçar dhe nipin e saj (djali i vëllait) janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e traumës, ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes është mësuar se shtetasi Rubin Peka, 11 vjeç, kishte humbur jetën. Policia filloi menjëherë hetimet në lidhje me aksidentin e rëndë duke ndaluar drejtuesen e makinës tip “Benz” me targa angleze. Shtetasja Uarda Çota, 26 vjeçe, ka rënë në prangat e policisë me akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Sipas hetimeve të Policisë, shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tepër e lartë me të cilën lëvizte automjeti i drejtuar nga 26- vjeçarja.
Pas hetimeve të para, ajo është arrestuar para mesnatës së djeshme në kryeqytet pasi rezultoi se po drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Në makinën tip “Benz” që mendohet se shkaktoi aksidentin, ndodhej edhe një vajzë tjetër bashkë me drejtuesen e mjetit, e cila ka marrë lëndime të lehta për shkak të aksidentit.

Lidhur me aksidentin e rëndë, mësohet se ka nisur edhe një procedim penal ndaj firmës “Salillari”, që kryente punimet në rrugë, për moszbatim të rregullave të sigurisë në punë dhe mospajisjen e kantierit të ndërtimit me barriera mbrojtëse.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb