Më shumë se 20 persona janë shoqëruar në polici, ku për shumicën e tyre Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër-arreste, pasi akuzohen se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që falsifikojnë viza e dokumente identifikimi.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se operacioni i shtrirë në qarqet Korçë, Fier dhe Tiranë dhe disa qytete të tjera, është vijimësi i dy aksioneve të mëparshme.

Burimet bëjnë me dije se të përfshirë në këtë grup kriminal ishin edhe punonjës në aeroportin e Rinasit. Po ashtu mësohet se këta persona, pasi siguronin ‘klientë’ kundrejt pagesave, i largonin këta qytetarë me procedurë të rregullt nga Shqipëria, dhe më pas në aeroporte të mëdha nëpër Europë përdornin dokumenti të falsifikuar.

Personat falsifikonin viza dhe dokumente identifikimi me qëllim trafikimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada apo vende të BE-së. Ndërkohë, përfituesit nga kjo skemë përdornin si vendkalim dhe pika të tjera kufitare përveç Rinasit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb