Drejtori i Policisë Vendore Lezhë, Ferdinand Mara ka dhënë detaje sot për operacionin e zhvilluar natën e kaluar, ku janë arrestuar 4 persona dhe shoqëruar 15 të tjerë për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditje e veprimtarisë kriminale, gjatë orëve të natës, kanë finalizuar operacionin e koduar “Telekomanda”.

Si rezultat, u bë i mundur kapja e shtetasit Endrit Vejsiu, 29 vjeç, nga Tirana, pasi në aksin rrugor Milot – Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit, në mjetin e tij tip ‘Opel’ në një gomë rezervë në bagazh, u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë.

Ato ishin të paketuara me nga dy cilindra materiali të ngurtë të mbështjellë me natriban, të dyshuara lëndë plasëse e llojit TNT. Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje. Arrestimi i Vejsiut u bë për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” dhe “Trafikim i lëndëve plasëse”.

Në vijim të planit të masave për rritjen e sigurisë mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, nga strukturat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në mbështetje edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, janë ushtruar kontrolle blic në pika kontrolli të dislokuara në rrugë, në lokale, pika basti, banesa të pabanuara dhe në çdo vend ku dyshohej se mund të ushtrohej veprimtari kriminale apo të fshiheshin persona në kërkim.

Gjatë këtyre kontrolleve në Kurbin u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim Gentjan alias Gazmir Elezi, 32 vjeç, banues në Fushë-Mamurras në Kurbin. Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin me vendimin e datës 24 nëntor 2015, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Elezi ka qenë i përfshirë në ngjarjen e datës 23 shtator 2015, në Mamurras Kurbin, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mes disa personave ka mbetur i vrarë shtetasi N.T.

Po në Kurbin, u arrestua në flagrancë shtetasi Leonard alias Gentjan Tafa, 35 vjeç, banues në Malbardhë. Në Laç, gjatë kontrollit, atij iu gjet e bllokua me cilësinë e provës materiale një pistoletë tip TT, me një krehër me 8 fishekë.
Arrestimi i Tafës u bë për veprën penale” Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

I arrestuar në flagrancë gjatë këtyre kontrolleve është edhe shtetasi Eris Gjoni, 20 vjeç, banues në Lezhë. Gjatë kontrollit tek një lokal në Lezhë, iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale një shkop hekuri policor. Ai akuzohet për veprat penale “Prodhimi, mbajtja , blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” si dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Gjatë kontrolleve të ushtruara gjatë 12 orëve të fundit nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër janë shoqëruar për verifikim 15 shtetas me precedentë penalë kryesisht të dyshuar për “Vjedhje” dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

“Ftoj edhe njëherë qytetarët e qarkut Lezhë, të denoncojnë në numrin falas 112, çdo rast të shkeljes së ligjit, si edhe të denoncojnë çdo abuzim me detyrën nga punonjës të Policisë në numrin 0800 90 90, duke i siguruar ata se Policia e Shtetit do të reagojë në kohë me profesionalizëm dhe paanshmëri”, deklaroi drejtori Mara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb