TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS dhe sekretari i përgjithshëm i PS Taulant Balla komentoi sot aksionet e SPAK, duke theksuar se PS nuk mban asnjë përgjegjësi për asnjë që ka hesape personale me drejtësinë.

Deklaratat erdhën pas një takimi me zëvendës kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç, ku foli dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe projekte të rëndësishme.

Sa i përket arrestimeve të SPAK, Balla tha se PS nuk mund të bëhet pis nga asnjë individ që në një moment të caktuar ka marrë një mandat përfaqësimi nga PS. Sipas tij, ky është vetëm fillimi i një procesi goditje të çdo lloj fenomeni.

“Shqipëria dhe Mali i Zi kanë projekte të përbashkëta në kuadër të IPA-s dhe numri i aplikuesve në kuadër të këtyre projekteve është ende larg pritshmërive tona të përbashkëta, por shpresoj që ky bashkëpunim të rritet edhe në muajt dhe në vitet në vijim.

Ajo që është e rëndësishme janë projektet e mëdha infrastrukturore. Kujtoj që Shqipëria ka aplikuar dhe pret mbështetjen e BE dhe të BERZH dhe të inst të tjera financuese për projektin e madh Hani i Hotit-Durrës dhe natyrshëm dhe për korridorin blu që lidh gjithë bregdetin e Kroacisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe që përfundon në Igumenicë. Ndërkohë që ndërtimi i një ure që do të lidhte Velipojën dhe Shtojin, pra Velipojën dhe bregun e Ulqinit do të ishte një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që do t’i jepte një zhvillim të mëtejshëm turizmit, në dy vendet. Kemi biseduar dhe për bashkëpunimin ndërparlamentar. Natyrshëm që me fillimin e legjislaturës së re në shtator, duhet që të rrisim dhe forcojmë bashkëpunimin, shkëmbimin e eksperiencave sepse kemi plot çështje që ngjajnë. Nëse ne në Shqipëri gjithmonë kemi pasur debate për sa i përket reformës zgjedhore, e njëjta situatë ndodh dhe në Malin e Zi, kështu që kemi shumë çështje për të ndarë dhe për të mësuar për njeri-tjetrin, por ajo që është shumë e rëndësishme është fakti që qoftë Shqipëria, qoftë Mali i Zi janë dy vende që kanë një kontribut cilësor në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë dhe në këtë këndvështrim, forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve tona, ndërtimi i sa më shumë urave të komunikimit. Deri në fund të këtij muaji do kemi dhe inaugurimin e një pike të re kufitare me Malin e Zi dhe kjo tregon një rritje të intensitetit të bashkëpunimit mes dy qeverive tona dhe kjo çon në një proces sa më të gjerë integrimi brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Balla.

Balla, këto javët e fundit SPAK ka lëvizur tepër, është arrestuar ish-kreu i bashkisë Lushnjë dhe ish-zëvendës ministrja Voda. Cila është përgjegjësia e PS sa i përket të zgjedhurve, të kandiduarëve, për integritetin e tyre?
Kur ne kemi mbështetur prej ditës së parë reformën në drejtësi, ka qenë bindja jonë që institucionet e reja të reformës në drejtësi duhet të godasin këdo që shkel ligjin dhe që shpërdoron financat publike të këtij vendi. PS ka vendosur një standard që uroj dhe u bëj thirrje të gjitha forcave të tjera politike të bëjnë të njëjtën gjë. Fatos Tushe nuk është më pjesë e Partisë Socialiste, ka detyrimin ligjor të bëjë një betejë të tijën ligjore dhe ndërkohë që edhe zonja në fjalë që ju i referoheni sepse këtë standard ne e kemi vendosur prej shumë kohësh dhe PS nuk ka asnjë dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për çdo person i cili këtë betejë dhe këtë hesap e ka personal me drejtësinë. Ju mund të jeni në dijeni që këto ditë kanë qenë dhe dy kryetarë bashkish, nga LSI dhe nga PD në hesapet e drejtësisë, që një u dënua dhe tjetri në hetim dhe dallimin mund ta bëni shumë thjeshtë. Reagimi i PS gjithmonë do jetë i njëjtë. PS nuk mund të bëhet pis nga asnjë individ që në një moment të caktuar ka marrë një mandat përfaqësimi nga PS. Përgjegjësia është vetëm personale dhe kemi besuar dhe besojmë dhe jemi shumë krenarë që kemi çuar përpara reformën në drejtësi dhe të gjithë ata që kishin aludimet ‘ç’po bën SPAK-u’ apo’ si po reagon drejtësia e re’, tani të shohin rezultatet. Ky është vetëm fillimi i një procesi goditje të çdo lloj fenomeni dhe kryeministri ka qenë shumë i qartë në këtë aspekt.

A do të ketë PS një standard tjetër dhe për selektimin e kandidatëve dhe jo vetëm diferencimin pasi ata dalin në shkelje dhe konstatohen në shkelje?
Ju ftoj që të hidhni një sy në të gjitha vendet anëtare të BE ku herë pas here ndëshkohen politikanë të nivelit të lartë dhe standardi është që partia politike duhet të mbajë një qëndrim distancues dhe në këtë vend ka dy standarde. Standardi i vendosur prej nesh, një përjashtim dhe një distancim të menjëhershëm dhe standardi kur organizoheshin gavetat për të furnizuar me ushqime kryetarin e bashkisë të partisë së caktuar i cili ishte marrë nga drejtësia për një çështje apo disa.

Janë një sërë precedentësh, duke u nisur nga Tahiri, Elvis Rroshi, nuk ka asnjë lloj përgjegjësie PS?
Kjo është shprehje e plotë e funksionimit të shtetit të së drejtës. Kushdo që ngriti pikëpyetje se PS po kapte institucionet e drejtësisë së re, sot duhet që të përdorë mikrofonat tuaj të nderuar për të kërkuar falje sepse nuk qenka kështu sepse drejtësia po godet sa majtas, sa djathtas, sa lart, sa poshtë dhe kjo është drejtësia për të cilën qytetarët shqiptarë kanë shpresuar. Kjo është drejtësia për të cilën qytetarët shqiptarë mbështetën PS në vitin 2017 dhe ajo që kemi thënë është që Shqipëria tashmë ka një drejtësi e cila është tërësisht e pavarur nga politika.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: