Aksionet në të gjithë botën pësuan luhatje, pasi tregjet reaguan mbi trazirat politike në Korenë e Jugut. Të martën në mbrëmje presidenti Yoon Suk Yeol vendosi ligjin ushtarak, por e shfuqizoi disa orë më vonë.

Ndërsa në Francë, vota e mosbesimit me të cilën pritet të përballet kryeministri Michel Barnier vuri ecurinë e euros në qendër të vëmendjes.

Në Korenë e Jugut, ekonominë e katërt më të madhe të Azisë, ligjvënësit i kërkuan presidentit të japë dorëheqjen ose të përballet me pasojat e gjykimit.

Kriza bëri, që indeksi standard i Koresë së Jugut KOSPI (.KS11), të pësojë rënie me 1.4%, duke i çuar humbjet mbi 7% dhe duke e bërë atë tregun e aksioneve me performancë më të keqe në Azi këtë vit.

Nga ana tjetër, indeksi më i gjerë i aksioneve të MSCI-së të Azi-Paqësorit jashtë Japonisë (.MIAPJ0000PUS), i cili përfshin Samsung Electronics si një nga përbërësit kryesorë të tij, ishte kryesisht i pandryshueshëm.

Shumica e tregjeve aziatike, përveç Koresë së Jugut, u rritën.
Monedha e Koresë së Jugut, won, e nxitur nga ndërhyrjet e dyshuara të bankës qendrore, ishte e qëndrueshme, por mbeti pranë nivelit të ulët dy-vjeçar kundrejt dollarit.

Ministria e financave e Koresë së Jugut tha se ishte e gatshme të shpërndante likuiditet të pakufizuar në tregjet financiare. Regullatori financiar ishte i gatshëm të derdhte 10 trilionë won (7.1 miliardë dollarë) në një fond stabilizimi për tregun e aksioneve.
“Ligji ushtarak në vetvete është shfuqizuar, por ky incident krijon më shumë pasiguri në peizazhin politik dhe ekonominë,” tha ekonomisti i ING, Min Joo Kang.

Ndërkohë, në Europë, aksionet (.STOXX) u rritën me 0.2% dhe euro u tregtua pranë nivelit më të ulët të dy viteve, përpara votimit të mosbesimit në Francë, ku CAC 40 u rrit me 0.4%.

Ligjvënësit francezë do të votojnë për mocionet, për të rrëzuar koalicionin e brishtë të kryeministrit, duke thelluar krizën politike në ekonominë e dytë më të madhe të eurozonës.
Euro, e tregtuar së fundmi me 1,0501 dollarë, është ulur me 4% që nga fillimi i nëntorit, kur investitorët tashmë po përgatiten për çdo politikë të pritshme tarifore nga administrata e ardhshme e Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Obligacionet e qeverisë franceze ishin të qëndrueshme.
Kontratat e së ardhmes në Wall Street treguan fitime, me S&P 500 që u rrit 0.2% duke arritur një rekord të lartë.

Trajektorja e politikave të SHBA-së
Larg trazirave politike, investitorët shpresojnë për më shumë të dhëna për të vlerësuar rrugën e politikës, që Rezerva Federale ka të ngjarë të marrë vitin e ardhshëm, me një raport të shumëpritur të punësimit për muajin nëntor pas disa ditësh.

Numri i vendeve të reja të punës në SHBA u rrit në mënyrë të qendrueshme në tetor, ndërsa pushimet nga puna ranë në nivelin më të ulët në 1 vit, duke sugjeruar se tregu i punës po ngadalësohet edhe pse një tjetër sondazh tregoi se punëdhënësit hezitonin të punësonin më shumë punëtorë.

Tregjet tani po parashikojnë një mundësi 72% për një ulje prej 25 pikë bazë këtë muaj, me 80 pikë bazë ulje deri në fund të vitit të ardhshëm.
Në qendër të vëmendjes tani është kryetari i Fed-it, Jerome Powell, i cili do të japë të mërkurën ato, që pritet të jenë vërejtjet e tij të fundit publike përpara takimit.

Indeksi i dollarit, i cili mat monedhën amerikane ndaj gjashtë rivalëve, u rrit me 0.2% në 106.5.
Dollari australian ra në nivelet më të ulëta të katër muajve, pasi të dhënat çuditërisht të buta ekonomike i shtynë tregjet të afrojnë kohën e mundshme të uljes së normave.

Çmimet e naftës u rritën ndërsa pjesëmarrësit e tregut peshuan tensionet gjeopolitike dhe perspektivën e OPEC+ për të zgjatur kufizimet e ofertës kundrejt kërkesës më të dobët. Kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar Brent u rritën 0.2% në 73.82 dollarë për fuçi, ndërsa kontratat e së ardhmes së naftës së papërpunuar të Teksasit Perëndimor u rritën me 0.2% në 70.07 dollarë. / Reuters

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: