Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Në 4 shtator, në të 24-ta njësitë administrative të Tiranës do të zhvillohet aksioni i pastrimit të Tiranës. Bashkia prej disa ditësh ka nisur shpërndarjen derë më derë të një letre, për të sensibilizuar qytetarët që t’i bashkohen këtij aksioni. Letra mban firmën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Po ashtu, në bazë të njësisë administrative ku jetojnë qytetarët, ai u ka vënë në dispozicion edhe numrin e administratorit të njësisë, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të komunikojnë me të në lidhje me aksionin e pastrimit. Nëpërmjet kësaj letre Bashkia e Tiranës u kërkon qytetarëve që të bëhen pjesë e aksionit me moto “Luftë Zhulit” ditën e premte, më 4 shtator. Po ashtu, në këtë letër drejtuar çdo familjeje të Tiranës, kryetari i bashkisë ka përmendur se rinovimi i kontratave të firmave të pastrimit do të vendoset mbi bazën e anketimeve qytetare, ku qytetarët do vlerësojnë me notë punën e operatorëve në çdo lagje.
Thirrja
“E nderuar familje e Tiranës. Gjatë këtij muaji të parë kemi nisur nga puna për ta kthyer Tiranën në normalitet, duke filluar nga ato ndërhyrje që i kemi konsideruar më urgjente – pastrim, transport publik e hapësira publike. Natyrisht, në kaq pak ditë veç sa kemi gërvishtur sipërfaqen e problemeve me të cilat përballet qyteti ynë. Por unë besoj se të gjithë bashkë po tregojmë ditë pas dite, se aty ku ka dëshirë për të punuar dhe mbështetje nga qytetarët, nuk ka asgjë të pamundur. Një ndër nismat tona më të rëndësishme të këtyre ditëve është ajo e pastrimit të qytetit. Ua kemi bërë të qartë kompanive të pastrimit, se rinovimi i kontratave të tyre do të vendoset mbi bazën e anketimeve qytetare, ku ju do të vlerësoni me notë punën e kompanive. Shumë prej jush na e kanë pohuar diferencën pozitive”, shkruhet në letrën që bashkia ka nisur të shpërndajë në çdo banesë, duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e aksionit të pastrimit këtë të premte.
“Dëshirojë t’ju ftoj dhe ju të na jepni një dorë në këtë përpjekje duke na u bashkuar në aksionin, ‘Qytetarë për pastrimin e qytetit, në datë 4 shtator’. Angazhimi juaj në këtë ditë, duke ndihmuar për pastrimin e rrugës apo lagjes suaj, është garancia më e mirë për një qytet të pastër e të jetueshëm për të gjithë. Duhen veç një palë doreza, një qese e shumë dashuri për Tiranën tonë”, shkruhet më tej në letrën që mban firmën e kryetarit Veliaj. Në varësi të njësisë administrative se ku është familja që i dorëzohet letra, është dhe numri i kontaktit të administratorit të njësisë. “Për çdo informacion lidhur me aksionin ju ftoj të lidheni me administratorin e njësisë. Ashtu si çdo punonjës tjetër i bashkisë që unë drejtoj, edhe administratori ka një detyrë të qartë: t’u shërbejë, qytetarëve 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Për çdo ide apo shqetësim mund të kontaktoni me SMS te 068-80-81-000 dhe e-mail: kryetari@tirana. gov.al. Duke ju falënderuar nga zemra për mbështetjen tuaj, ju pres në 4 shtator për aksionin e pastrimit të lagjes suaj”, shkruhet në letër.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: