TIRANE – Aleatët kryesorë të Partisë Socialiste në qeverisjen e vendit, drejtues të LSI-së, bëjnë thirrje që aksioni kombëtar kundër informalitetit të mos shoqërohet me arrogancë, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë me aksione të këtij lloji si ai i energjisë. Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili deklaroi dje në një intervistë për “Vizion Plus”, se ky aksion është i mirëpritur, por duhet që bizneset të ndihen të qetë. “Historia e zbatimit në terren të nismave të mëdha, të gjera, në Shqipëri ka rezultuar jo në pak raste, pra nuk kanë qenë sporadike, ku ka pasur edhe qëndrime të ashpra përtej atyre që janë në kufijtë e ligjit. Nganjëherë ka pasur pse jo, edhe arrogancë dhe këto në vend që ta ndihmojnë, e dëmtojnë procesin”, u shpreh Vasili. Sipas tij, “këto eksperienca negative të së shkuarës sigurisht duhet të jenë një moment delikat, i cili duhet kontrolluar dhe monitoruar nga Ministria e Financave që normalisht e udhëheq aksionin”. Më tej, kryetari i grupit të deputetëve të LSI-së, Vasili i bëri thirrje Ministrisë së Financave që edhe sikur një akt i vetëm të verifikohet, “duhet të konsiderohet ngjarje e madhe, në mënyrë që biznesi në përgjithësi të ndihet i qetë”.
Ndërkohë që në lidhje me mosrealizimin e të ardhurave në buxhetin e shtetit në një nivel prej 160 milionë dollarësh, Vasili thekson se situata ka nevojë për analizë. Sipas Vasilit, ndryshimi i politikave fiskale nuk ka pse të jetë tabu, veçanërisht kur të ardhurat nuk mblidhen. “Asnjëherë nuk mund të themi që politika financiare është më e mira, nëse rezultatet na mungojnë, sepse këto rezultate që mungojnë do të thotë sasi të rëndësishme parash, të cilat në radhë të parë do të ishin shumë jetike për t’iu dhënë përgjigje disa problemeve veçanërisht në fushën e çështjeve sociale”, u shpreh kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Edhe pak ditë më parë, drejtuesi i LSI i bëri thirrje qeverisë që të shikojë me kujdes në ndryshimin e politikës së taksave. “Çdo ndryshim në politikat e taksave nuk duhet të priret në asnjë rast nga pamjaftueshmëritë që vërehen në funksionim dhe që lidhen me evazionin fiskal, me administrimet më efikase apo të dobëta, apo me korrupsionin, por duhet të priren nga qëndrime vizionare, të cilat nënkuptojnë që këta elementë janë të përmirësueshëm dhe që janë në dorën e qeverisë, të tjerët janë elementë që kanë të bëjnë me orientimin e biznesit dhe të ardhmen e tij”, u shpreh Vasili. “Çdo vendim i marrë pa një analizë të kujdesshme, sigurisht që do të riciklonte problemet e mëparshme”, ka thënë Vasili. Ndërsa ka mbështetur edhe deklaratat e kreut të Kuvendit dhe të LSI-së njëherësh, Vasili tha edhe më parë se: “Sistemi i taksave, e gjithë politika fiskale në Shqipëri është dhe duhet të jetë e thjeshtë dhe vetëm nga një objektiv themelor dhe të patjetërsueshëm, që ky është zhvillimi ekonomik dhe rritja ekonomike e qëndrueshme. Pa një rritje ekonomike të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, të gjithë e kanë shumë të qartë që jo vetëm një mori problemesh të tjera të karakterit infrastrukturor, të karakterit të shërbimeve të tjera nuk mund të marrin përgjigje, por mbi të gjitha, një mori e madhe problemesh sociale delikate nuk mund të marrin përgjigje pa një rritje të qëndrueshme ekonomike”. Por, pavarësisht këtyre qëndrimeve që nuk shkojnë në të njëjtën linjë me qeverinë, për Vasilin koalicioni PS–LSI funksionon pa asnjë problem.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: