VLORË– Deputetët e Partisë Demokratike kanë dënuar aktin e shembjeve të banesave nga IKMT-ja, në Jalë, aksion ky i cili vijon që nga mëngjesi.

Sakaq, deputeti, Agroh Shehaj, ka deklaruar se prona në Jalë po rrëmbehet nga oligarkët. Ai gjithashtu shtoi se ka patur banorë, të cilët ndodhen në komisariatin e policisë dhe janë marrë me dhunë.

“Shteti është i banditëve. Mesazhi është që ne të bëhemi të gjithë bashkë, kjo është e vetmja mundësi dhe nuk ka rrugë të tjera. Familjarët kanë rrëfyer atë, që ka ndodhur. Sot kanë ardhur rreth 300 forca policie, ka patur arrestime dhe sot banorët janë në komisariat”, tha ai.

Ndërkohë, deputetja, Nada Mecorapaj, ka theksuar se prapa këtij veprimi, qëndrojnë akte korruptive të kësaj qeverie.

“Jam këtu në mbështetje të banorëve, vijojnë të prishen të gjitha objektet këtu. Ky veprim ka mbrapa një akt korruptiv, mesa duket Jala po bëhet e oligarkëve dhe e qeverisë. Një vajzë është marrë zvarrë nga policia. Prona nuk është e asnjë qytetari , por për fat të keq e oligarkëve”, shtoi ajo.

Paralelisht me protestën e banorëve, nga ana tjetër vijon aksioni për prishjen e ndërtesave të tjera, të cilat janë në listë.  “BalkanWeb” ka mësuar se deputeti i PD, Agron Shehaj, ka patur momente tensioni me kreun e IKMT-së.

Por, gjithashtu banorët janë shprehur se nuk kanë marrë dokumentin e zbatimit të shembjeve, por kjo duket se nuk është një justifikim për IKMT-në.

(n.m/BakanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb