Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka folur në lidhje me aksionin e qeverisë ditën e sotme ndaj “Prestige Resort”.

Mediu e cilësoi aksionin e qeverisë sot si një “absurd” në disa plane, teksa tha se të ndërmarrësh një veprim të tillë pa vendim gjykatë është e papranueshme pasi shteti nuk mund të jetë mbi pronat dhe qytetarët.

Sipas tij kemi një shtet që nuk do t’ia dijë për biznesin apo fjalën e lirë, gjë që është edhe më keq kur kthehet në një shqetësim ndërkombëtar, duke iu referuar raportit të DASH për Shqipërinë ku u përmend ndërhyrja ndaj “Prestige Resort”.

“Ky është një absurd, është absurd në disa plane. Të ndërmarrësh një veprim të tillë pa vendim gjykate është e papranueshme. Shteti nuk mund të jetë mbi pronat, shtetin e kanë krijuar qytetarët dhe kur nuk ka një raport të qartë se kush ka të drejtë është gjykata që vendos. Absurdi shtohet me gjyqësorin që shtyn çështjet pafundësisht dhe sjell konflikt në vend. Shteti nuk funksionon mbi bazë të Kushtetutës dhe ajo që është më absurde është se kemi një sulm që ka raport jo vetëm me rregullin ligjor por me një media.

Kemi një shtet që nuk do t’ia dijë për biznesin apo fjalën e lirë. Kur kthehet në një shqetësim ndërkombëtar është edhe më keq. Kemi një absurd politik në vend në tërësi. Nëse tentuam të kishim drejtësi të pavarur ajo tani vepron sipas interesave politike.
Kur jemi në një situatë të tillë absurde veprimet e drejtësisë duhet të jenë sa më të shpejta. Ky është një problem jo i vogël. Kur kjo bëhet ndaj një biznesi të njohur, mendoni çfarë ndodh me në qytetar të thjeshtë që e ka të pamundur të fitojë të drejtën e vetë. Jemi kthyer në shoqëri ku një grup i caktuar mendon se mund të veprojë si të dojë.

Ne jemi kthyer në Republikë ekzekutive qeveritare. Target është kushdo, kur kemi një grup mediatik veprimet duhet të jenë të matura për një vend që është anëtar i NATO-s. Kemi plotësuar disa kritere politike dhe një ndër to ka qenë respektimi i të drejtave e lirive të qytetarëve dhe ne po bëjmë hapa prapa.
Duket se gjithsecili do që të shesë gjithçka që ka dhe të largohet nga ky vend, ka pasiguri juridike për biznesin në vend. Kjo është bërë një metodë që është për të ardhur keq. Ajo që po tentohet të krijohet në Shqipëri është një shoqëri që nuk reagon. Largimi masiv i shqiptarëve e ka bërë më të vakët këtë shoqëri dhe secili e sheh si problem të dikujt tjetër. Shoqëria duhet të kuptojë se ata vetë rrezikohen.

Te mazhoranca ka humbur zëri kritik dhe janë bërë konformistë. Heshtja e tyre vjen sepse secili përpiqet të zgjidhë hallin e vetë. Duket që nuk kemi një raport të drejtë Nuk besoj se do ketë një përgjigje nga mazhoranca, do japin përgjigje krejt të vakëta nëse pyeten. Nëse kemi një sistem ku parlamenti kontrollohet nga kryeministri nuk do ketë zëra të fortë apo kritika. Kushtetutën nuk e kemi më të shenjtë, e kemi ndryshuar për çështje personale. PO vazhdohet me një mentalitet komunist, ku bëhet çfarë thotë partia, duhet të ketë frymëzim për të ndërtuar shtet nga opozita”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb