SHKODER – Policia e Shkodrës, së bashku me specialistë të agjencisë Crown Agent nisën dje një aksion ‘blic’ në lagjen “Rus”, në fokus të të cilit ishin tregtarët ambulantë të duhanit. Gjatë këtij aksioni, blutë u kanë sekuestruar tregtarëve të gjithë mallin. Të revoltuar, tregtarët kanë kundërshtuar dhe janë përleshur me forcat e policisë. Në një deklaratë për mediat, policia e Shkodrës sqaron se gjatë kontrollit u konfiskuan 82 kg duhan i grirë, dhe në asnjë rast nuk u ushtrua dhunë ndaj tregtarëve.
“Më datë 29.07.2015, rreth orës 11.00, Agjencia Crown Agent ka zhvilluar një kontroll në tregun informal të tregtimit të duhanit të grirë i cili klasifikohet në mallrat që paguajnë akcizë. Me qëllim mbarëvajtjen e veprimtarisë së kësaj Agjencie nisur edhe nga numri i konsiderueshëm i personave të cilët tregtojnë duhan të grirë në mënyrë të paligjshme, në vendin e quajtur “Rus”, nga ana kësaj Agjencie u kërkua mbështetje nga shërbimet e policisë së rendit. Gjatë kontrollit dhe konfiskimit të mallrave të akcizës (82 kg duhan i grirë), ndaj punonjësve të kësaj Agjencie pati reagime dhe kundërshtime verbale të personave që tregtonin në mënyrë të kundraligjshme gjë që krijoi konfuzion dhe bllokim të lëvizjes së lirë të mjeteve. Shërbimet e policisë që ishin në mbështetje të veprimtarisë së Agjencisë Crown Agent kanë kërkuar ndihmë për shërbime të tjera policie me qëllim normalizimin e situatës dhe lëvizjes së lirë të mjeteve. Me mbërritjen e shërbimeve të tjera të policisë dhe drejtuesve të tyre, u është kërkuar qytetarëve të lironin rrugën për lëvizjen e mjeteve.”- thuhet në deklaratën e policisë.
Ndërkohë policia e Shkodrës thekson se në asnjë rast punonjësit e policisë nuk kanë përdorur dhunë ndaj asnjë shtetasi, tregtari apo gazetari, por vetëm u është kërkuar të largohen nga rruga automobilistike pasi ishte bllokuar lëvizja e lirë të mjeteve.
Nga ana tjetër tregtarët e duhanit akuzuan policinë për dhunë dhe terror. Ata hodhën akuza edhe ndaj qeverisë se, në vend që t’i mbështesë, po i fundos edhe më shumë duke u hequr ato pak të ardhura me të cilat mbajnë familjet e tyre me bukë.
“Edhe pse Policia po ushtron terror dhe është duke na dhunuar bukën dhe djersën tonë, ne nuk zmbrapsemi. Sërish do dalim të shesim këtu, sepse ky është i vetmi burim jetese për të mbajtur frymën gjallë”,- u shprehën tregtarët.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb