Deputeti i PD-së Saimir Korreshi e cilësoi katastrofike pamjen që ofrojnë fadromat te “Prestige Resort”. Ai deklaron se Rama do të tregojë forcën dhe se pushtetet janë shkrirë të gjitha në një. Sipas tij, turizmi është prapavija e këtij aksioni.

Korreshi tha se Rama dhe njerëzit e tij duan të shkatërrojnë gjithçka që merr frymë pa lejen e PS-së.
“Këtu duket më tepër një gjendje lufte. Nuk pushon matrapiku. Duket sikur ka rënë ndonjë bombë atomike. Situata jo vetëm për pushuesit, por edhe për shtetin është katastrofike. Pamje e trishtueshme që nuk i jep lezet as turizmit. Nuk mund të veprohet në mënyrë abuzive. Nëse ka një paligjshmëri, duhet t’i jepet e drejta ta prishë vetë dhe nëse nuk ndodh, atëherë shkon shteti.
Jo më një objekt që ishte këtu, nuk erdhi sot dhe aty ishin qeveritarë dhe kryeministri. Strukturat nuk duhet të veprojnë në mënyrë abuzive. Shkelja e ligjit nuk është vetëm nga ata që mund të ndërtojnë pa leje, por edhe nga ata që prishin në mënyrë abuzive këto ndërtime. Ai do të tregojë forcën e tij. Është një njeri që vepron. Janë shkrirë të gjitha pushtetet dhe ju si pushtet i katërt, ndër të paktët duke transmetuar objektivisht, sot kërkohet të vihet në kontrollin e PS.
Nuk është se vijmë këtu për shkakun e turizmit, është prapavija. Këta nuk kanë hallin e paligjshmërisë, këta duan të shkatërrojnë gjithçka që merr frymë pa lejen e PS-së”, tha deputeti i PD.

Ai shtoi se Rama do t’i detyrojë të gjithë të ikin nga vendi.
“Nuk ndodh në Itali kjo. Nëse ndodh që ndërtohet, shteti vë një gjobë të majme, por jo të bëjë këtë prishje. Ai vetë i ka dizenjuar këto.
Do detyrohemi të ikim të gjithë me gomone në Angli. Ky është dhe pak faji jonë si opozitë, duke parë që jemi të dobët, ai vazhdon t’i kapë të gjitha institucionet”, tha Korreshi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb