Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump është vënë nën akuza për një krim në lidhje me një pagesë që i ka bërë yllit për filma të rritur, Stormy Daniels.
Njeriu që kaloi 4 vite në Shtëpinë e Bardhë tani është disa ditë larg nga marrja e shenjave të gishtërinjve, një fotografim në polici dhe nxjerrja para gjykatësit, raporton BBC. Kjo po ndodh ndërsa ai bën fushatë për t’u bërë sërish president, në zgjedhjet e vitit 2024.
Çfarë ka ndodhur?
Të enjten mbrëma, një juri e New Yorkut ka votuar për të paditur Trumpin, që do të thotë se ata besojnë se ka prova të mjaftueshme për të ngritur akuza penale kundër tij. Aktualisht ende nuk dihen se me cilat akuza po përballet 76-vjeçari. Por, prej javësh juria ka dëgjuar prova në lidhje me një pagesë për të blerë heshtjen e Daniels. Kjo ndodhi përpara se ai të ishte president, pak para zgjedhjeve të vitit 2016, të cilat ai fitoi kundër Hillary Clinton.
Për çfarë akuzohet Trump?
Stormy Daniels thotë se ajo kishte një aferë seksuale me Trumpin në vitin 2006, të cilën ai e ka mohuar vazhdimisht. Në vitin 2016 ajo u përpoq të shiste në media rrëfimin e saj rreth përjetimeve me Trumpin.
Avokati i ish-presidentit, Michael Cohen, e pagoi aktoren 130 mijë dollarë për të heshtur. Kjo lloj pagese quhet ‘pagë për heshtje’. Kjo nuk është e paligjshme, por ajo që e ka futur Trumpin në telashe është se si është regjistruar pagesa në llogaritë e tij. Ai akuzohet se ka falsifikuar të dhënat e biznesit duke thënë se pagesa ka qenë për tarifat ligjore.
Siç ndodhi pak përpara se amerikanët të votonin, kjo do të thotë se ka shkelë gjithashtu ligjet për pagesat që ndihmojnë një fushatë zgjedhore. Tani do të ketë një gjyq ku Trump do të paraqesë rastin e tij. Ai ka mohuar çdo akuzë dhe thotë se ato janë të motivuara politikisht.
A do të shkojë në burg nëse shpallet fajtor?
Rezultati më i mundshëm është një gjobë, por ka edhe mundësi që ai të dërgohet në burg.
Nëse ndonjë nga akuzat është serioze – ajo që në SHBA quhet krim – atëherë ai do t’i kalojë katër vjet të jetës pas hekurave të burgut. Por, ekspertët ligjorë i kanë thënë BBC-së se ka pak gjasa që ai të burgoset.
A mund të kandidojë për president?
Po! Asgjë nuk e pengon të vazhdojë fushatën zgjedhore tani që ai po akuzohet. Edhe nëse do të burgosej, ai teorikisht mund të kandidojë për president dhe të fitojë zgjedhjet.
A nuk ishte hetuar më parë?
Po. Ai u përball me dy hetime të mëdha nga Kongresi amerikan kur ishte president, të quajtura “impeachments” (shkarkime), por Senati e liroi në të dyja rastet. Trump tashmë ka lënë detyrën dhe nuk mund të fajësohet më, por mund të paditet dhe përballet me një sërë hetimesh penale. Ato janë në vazhdim dhe ne do të dëgjojmë më shumë rreth tyre në muajt në vijim.