Kryeredaktori i ‘Gazeta Shqiptare’ Erl Murati, ngritjen e aktakuzave për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi e ka cilësuar një lajm të keq.

I ftuar në rubrikën ‘Opionin’ në ‘News24’, Murati pohoi se ngritja e aktakuzave për Thaçin dhe komandantët e tjerë të UÇK-së, nuk ishte surprizë. Sipas gazetarit Murati, ndaj ish-presidentit dhe të tjerëve rëndojnë 10 akuza për 169 raste, vrasje apo tortura.

“Ngritja e aktakuzës për Thaçin dhe komandantët e tjerë nuk ishte surprizë. U paralajmërua në fund të qershorit kur kryeprokurori bëri njoftimin për shtyp që ndikoi dhe në takimin që ishte parashikuar në Shtëpinë e Bardhë. Ata kanë 10 akuza mbi shpatullat e tyre që të përballen me 169 raste konkrete të vrasjeve, torturave. Bashkohem me shumicën e opinionit që ndan këtë. Është përpjekje për të njollosur luftën e UÇK. Nuk është hera e parë, që ka akuza ndaj Thaçit, dhe luftëtarëve të UÇK, por kjo nuk e ka njollosur luftën e UCK. Sa i përket njohjes së Gjykatës Speciale, është një vendim i mençur, që e kanë pranuar këtë gjykatë. Presioni ndërkombëtar i ka detyruar për ta pranuar. Do të ishte më pozitive për Kosovën që komandantët e kësaj lufte të dilnin të pafajshëm. Kam besim se do dalin të pafajshëm. Nuk besoj se ka një rastësi, aktakuza e Thaçit u njoftua 3 ditë para takimit në SHBA me Vuçiç. Nuk është rastësi as mbyllja në paraburgim, një ditë pas zgjedhjeve në SHBA. Kjo histori ka dy dimensione, juridik dhe politik. Nga ana juridike, në 1945 kur ushtria e kuqe hyri në Berlin janë 40 mijë gra e vajza të përdhunuara. SHBA ka hedhur bombë atomatike ne Hiroshima e Nagasaki.

Në të dyja rastet, përgjegjësit gjykohen si institucione që kanë sjellë fundin e një lufte të tmerrshme inicuar nga Hitleri. Truman, i vetmi që urdhëroi bombardimin në Hiroshima sot mbahet si patriot që i dha luftës së II botërore fundin e saj. Kështu mund të shohim edhe luftën e Kosovës. UÇK e bëri luftën si kundërpërgjigje ndaj regjimit të Milosheviçit. Në dimensionin politik, jemi në moment delikat. Kosova njihet nga më shumë se 100 shtete, është në proces të vazhdueshëm me Serbinë. Jemi në diskutime të vazhdueshme me Serbinë për njohjen e pavarësisë. Dënimi dhe aktakuza e implikon procesin e negocimit mes palëve. Do të duhej që Kosova 20 vite pas luftës, do duhej që ta kishte rinovuar lidershipin e saj. Është si Shqipëria. Klasa politike e Kosovës, ajo aktive, është ajo e luftës së 99. Aktakuzat mund të sjellë komplikime për negociatat. Tek raportoi Dick Marty, sa i takon akuzave që lidhen me Shqipërinë, duket si fiction. Është e pamundur që në një shtëpi të fshatit të bëhen trafik organesh. Lufta e ’99 ishte luftë totale, ku makineria ushtarake serbe vazhduan me masakra, si masakra e familjes Jashari. Është e qartë se kush ishte viktima dhe agresori. Bastisja në zyrën dhe shtëpinë e zotit Thaçi është absurde dhe qesharake. Është veprim i drejtësisë, por ka prapavijë politike. Ngritja e aktakuzës për Thaçin është një lajm i keq.”, tha ai.

Ndërkohë, Murati u pyet nëse do të ketë arrestime apo jo në vendin tonë lidhur me këto aktakuza, ndërsa ai iu përgjigj se: “S’dua të spekuloj. Janë 169 raste dhe akuza konkrete, ku Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për vrasje dhe tortura. Nuk dua të spekuloj në këtë pikë. Nuk përjashtoj që të kenë ndodhur incidente të ngjashme në Kosovë, por e përjashtoj që në ‘Shtëpinë e Verdhë’ të ketë ndodhur transplant organesh. Duhet të shohim gjyqin.”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb