Kryeministri Edi Rama do të jetë sot në Kosovë për një sërë takimesh pas aktakuzave të Tribunalit të Hagës ndaj Thacit e Veselit.

Mediat kosovare raportojnë se Rama do të takohet me kryeministrin Avdullah Hoti, Presidentin Thaçi dhe me kreun e PDK, Kadri Veselin. Po ashtu do të ketë takime edhe me Vjosa Osmanin apo dhe me liderët e partive të tjera.

Prej publikimit të aktakuzave, Rama i doli menjëherë në krah Thaçit e Veselit duke i cilësuar si heronjë të Kosovës, kurse Serbinë si xhelatin e luftës së vitit 1999.

Kjo vizitë vjen fill pas asaj të Thaçit në fundjavë, i cili pasi u publikua aktakuza fluturoi drejt Rinasit në Shqipëri. Nga ana tjetër pritet të shihet nëse Rama do të takohet me Ramush Haradinajn apo me Albin Kurtin, me të parin që e ka paditur për shpifje për ‘shkëmbimin e territoreve’, kurse me të dytin një ‘luftë të ftohtë’ që filloi me deklaratën e Kurtit në Tiranë për ‘Makroshengenin shqiptar’.

Ndërkohë publikimi i aktakuzave ka bërë që të anulohet edhe takimi i Uashingtonit në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e Grenell, për të hapur siparin e rifillimit të dialogut Kosovë- Serbi. Takimi duhet të ndodhte dy ditë më parë, por në fillim Thaçi, pastaj Hoti anuluan pjesëmarrjen dhe si përfundim Grenell shtyu takimin.

Sot Thaçi i drejtohet popullit të Kosovës për herë të parë pas publikimit të aktakuzës. Pritet të shihet nëse do ketë një vendim për dorëheqje nga ana e tij si Presidenti i Kosovës, ashtu siç bëri Ramush Haradinaj në të njëjtën situatë një vit më parë si kryeministër apo jo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: