Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurës A.M-Z. për shkak të veprës penale ”Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale, ekziston dyshimi i bazuar mirë se e pandehura A.M-Z. me dashje dhe vetëdije të plotë më 12.09.2014, ka kaluar përmes pikës kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, së bashku me bashkëshortin e saj A.M. dhe vajzën e saj ku kanë udhëtuar në drejtim të Stambollit, më pas kanë vazhduar për në Siri, në zonën e konfliktit Siri-Irak me qëllim që t’iu bashkëngjitet grupeve terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”.

“Gjatë qëndrimit në zonat e luftës ka pasur vizita nga persona të ndryshëm, në mesin e të cilëve L.M., R.H. me gruan e tij dhe të tjerë, si dhe gjatë qëndrimit në Siri, në zonat e luftës ka pranuar shuma nga 50 deri 150 dollarë për muaj, pako ushqimore dhe gjëra higjienike dhe se bashkëshorti i saj A.M. ka ushtruar me ushtrinë Siriane, si dhe ka dhënë ligjërata në xhaminë në qytetin Minbixh. Ndërsa, e pandehura A.M-Z. më 20.04.2019, nga autoritetet e drejtësisë amerikane është riatdhesuar në Kosovë”, thuhet në njoftim.

“Me këto veprime e pandehura A.M-Z. ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb