Ministrja e Financave, Anila Denaj paraqiti në Kuvend aktin normativ për ndryshimet në ligjin për regjistrin e pronarit përfitues që parashikon një shtyrje afati deri më 30 qershor.

Sipas Denajt, afati i vjetër deri më 31 mars nuk ishte i mjaftueshëm, prandaj dhe afati u zgjat më tej.

Ajo thekson se tashmë bizneseve i jepet kohë të finalizojnë procesin që kryhet për herë të parë pa sanksione.

 

 

FJALA E ANILA DENAJT

I nderuar Kryetar i Seancës,

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar Deputetë,

Akti i rradhës që Qeveria Shqiptare prezanton në këtë seancë është akti normativ “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.112/2020 “Për regjistrin e pronarit përfitues”.

Ligji bazë “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, i miratuar nga ky Parlament, parashikon krijimin, funksionimin dhe administrimin e sistemit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues.

Objektivi themelor është identifikimi i cdo pronari përfitues në aksionet, kuotat apo interesat në subjektet private apo entitetet juridike jo fitimprurëse.

Ky ligj ka bërë të mundur përafrimin e pjesshëm të legjislacionit shqiptar me Direktivën e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, “Për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar për qëllime të pastrimit të parave ose të financimit të terrorizmit.

Tashmë në zbatim, ky ligj ka rregulluar procedurën dhe mënyrën e mbajtjes së të dhënave të regjistruara të pronarëve përfitues.

Megjithatë, në rrugëtimin për zbatimin e këtij procesi të ri dhe të nevojshëm, edhe në kuadër të detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë, janë shfaqur një sërë cështjesh teknike dhe të lidhura me subjektet raportuese.

Së pari, sipas ligjit nr.112/2020, detyrimin e regjistrimit të pronarëve përfitues e kanë subjektet raportuese ekzistuese dhe subjektet raportuese të krijuara rishtazi, brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Së dyti, në Ligj parashikohet se, regjistrimi nga subjektet raportuese i të dhënave të pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues  bëhet:

  1. a) brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve raportuese, në rastin e regjistrimit fillestar të pronarëve përfitues;
  2. b) brenda 30 ditëve nga data e ndryshimit faktik të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese.

Në vazhdimësi subjektet raportuese kanë ngritur shqetësimin pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, se koha është e pamjaftueshme për të siguruar regjistrimin e duhur të pronarëve përfitues dhe për të raportuar të gjithë elementët e ndryshimeve, përfshirë edhe pronësinë indirekte.

Në këto kushte, subjektet raportuese janë shprehur se përmbushja e detyrimit ligjor bëhet e pamundur brenda afateve të përcaktuara, në mënyrë objektive.

Për të shmangur cdo kosto shtesë të panevojshme dhe të padrejtë mbi subjektet raportuese, por edhe për adresuar cdo nevojë teknike të këtij sistemi të ri, në vijim të konsultimeve me aktorët e sektorit privat:

–        Qeveria Shqiptare ka miratuar një akt normativ, i cili garanton funksionalitetin e Regjistrit të Pronarëve Përfitues.

Kështu përmes këtij akti normativ parashikojmë dy ndryshime thelbësore:

–        Zgjatjen e afatit për subjektet raportuese (personat juridik), për të regjistruar pronarin e tyre përfitues në Regjistrin e Pronarit Përfitues (nga data 02.04.2021 në 30.06.2021).

–        Zgjatjen e afatit te regjistrimit të ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues (nga 30 ditë në 90 ditë).

 

Në të dyja rastet, me shtyrjen e afateve respektive, Qeveria Shqiptare:

–        i jep kohën e nevojshme subjekteve raportuese për të finalizuar një proces që kryhet për herë të parë, pa sanksione;

–        sigurohet që cdo subjekt ka në vazhdimësi kohën e nevojshme dhe mundësinë për një raportim të plotë nga momenti i ndryshimeve faktike, qofshin këto në biznese private apo organizata joftimiprurëse.

 

Të nderuar,

Cdo ndryshim në Ligjin për Regjistrin e Pronarëve Përfitues

vjen në mbështetje të zbatimit të drejtë të këtij ligji dhe

shkon në linjën e realizimit të prioriteteve të Qeverisë dhe të Republikës së Shqipërisë në zbatimin e rekomandimeve të strukturave rekomanduese si Moneyval dhe strukturave monitoruese kundër financimit të terrorizmit.

Deri më sot, pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, janë regjistruar mbi 16 mijë aplikime për regjistrimin e subjekteve, biznese apo organizata të shqoërisë civile, nga të cilat janë miratuar vetëm 12 mijë dhe rastet e tjera janë në shqyrtim ose janë refuzuar.

Procesi i aplikimit dhe miratimit në këtë Regjistër të ri do të vijojë për cdo subjekt privat dhe OJF, deri në përmbylljen e suksesshme të procesit të identifikimit të pronarëve përfitues në Shqipëri.

Qeveria Shqiptare mbetet plotësisht e angazhuar që edhe në vitin 2021, të vijojë të jetë plotësuese rigoroze e rekomandimeve të lëna për vendin tone dhe të sigurojë zbatimin e sistemeve të reja të inteligjencës në vend.

Ju faleminderit

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb