Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar në komisionin e Ekonomisë dhe Financave Aktin Normativ të qeverisë, duke theksuar se nuk sjell ndonjë përfitim real për qytetarët shqiptarë dhe nuk trajton problemet e thella ekonomike me të cilat përballet vendi.
Tabaku ngriti shqetësimin se të ardhurat e qeverisë për buxhetin vijnë kryesisht nga faktorë të jashtëm si Banka e Shqipërisë dhe rritja e çmimeve, dhe jo nga përmirësime strukturore në ekonominë vendase.
“Akti Normativ që po paraqisni nuk sjell asnjë ndryshim thelbësor për qytetarët. Në fakt, një pjesë e të ardhurave vjen nga Banka e Shqipërisë dhe nga fondi i shpronësimeve, ndërsa pjesa tjetër vjen nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe të TVSh-së. Nuk shoh ndonjë arsye të qenësishme për miratimin e këtij akti”, tha Tabaku.
Ajo gjithashtu theksoi se edhe pse qeveria pretendon se Akti Normativ është i nevojshëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Profesionet e Lira, fondet e premtuara prej 1.5 miliardë lekësh ende nuk janë kthyer te qytetarët që i meritojnë ato.
“Le ta shohim buxhetin në një pikëpamje tjetër, në fund të ditës çfarë i sjell qytetarëve në xhepat e tyredhe në dobi të tyre”, tha Tabaku.
Një tjetër pikë e rëndësishme e shqetësimit të Tabakut ishte mosrealizimi i premtimeve për rritjen e pagave në përputhje me inflacionin.
“Në 11 vite, rritja mesatare e pagave ka qenë vetëm 2.3%, ndërsa inflacioni është rritur me 2.5%. Kjo nuk e mbulon as rritjen e kostove të jetesës”, theksoi ajo.
Deputetja gjithashtu vuri në dukje nevojën për të alokuar më shumë fonde për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke theksuar rëndësinë e përgatitjeve për votën e diasporës. ” Buxheti nuk duhet të bëhet me arnime, dhe kjo qasje e qeverisë e bën gjithnjë e më të dukshme se planifikimi buxhetor është joefikas dhe afatshkurtër”, tha Tabaku.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur qeveria përballet me kritika të vazhdueshme për mënyrën se si po menaxhon fondet publike dhe për mungesën e mbështetjes për sektorët kyç të ekonomisë dhe qytetarët në nevojë.
Pjesë nga fjala e Tabakut
Le ta shohim buxhetin në një pikëpamje tjetër, në fund të ditës çfarë i sjell qytetarëve në xhepat e tyredhe në dobi të tyre. E dëgjova me interes ministrin dhe më vjen të keq të them që të ardhurat vijnë një pjesë nga Banka e Shqipërisë vijnë rreth 8 mld lekë nga fondi shpronësimeve, ndërsa të ardhurat e tjera shtesë janë nga dy faktorë rritja e pagës minimale dhe rritja e çmimeve sidomos shportës së ushqimeve dhe përmes TVSh-së.
Ndaj nuk shoh ndonjë arsye të qenësishme për një akt normativ dhe që nuk ndryshon ndonjë gjë. Në fakt juve thoni që e bëmë Aktin Normativ për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Profesionet e Lira, por ju ato 1.5 mld lekë ende nuk ia keni kthyer atyre që u takojnë.
Njëkohësisht shoh që keni alokuar fonde për KQZ por a mos është e nevosjhme të alokojmë më shumë fonde për to dhe votën e diasporës? Pasi nuk duhet ta bëjmë buxhetin me arnime dhe unë shoh që juve keni ndërmend ta shihni.
Për pagat, unë shoh që nuk ka një rritje në të njëjtin ritëm me sektorin publik. Juve i keni rritur pagat në 11 vite mesatarisht 2.3% ndërsa inflacioni është rritur me 2.5%