Një studim nga IKESH zbuloi se kushtet e punës në Shqipëri janë problematike, ndërsa shtroi mendimin se zhvillimi i klasës punëtore do të luftonte shfrytëzimin e tyre nga pronarët dhe do të përmirësonte mjetet e sigurimit të e jetesës.

Instituti për Kritikë dhe Emancipim të Shoqërisë, IKESH, themeluar në 2014 nga një grupim aktivistësh të majtë, prezantoi të shtunën gjetjet e pjesës së parë të studimit “Gjendja e klasës punëtore në Shqipëri”.

Përmes 100 intervistave në terren të kryera me punëtorë të sektorëve call center, fasoneri, miniera, ndërtim dhe peshkim, studimi synon t’i japë një zë punëtorëve shqiptarë duke kuptuar kushtet e punës dhe gjendjen ekonomike të tyre.

IKESH zbuloi se punëtorët shfrytëzohen me intensitet të lartë deri në rrezik shëndetësor apo jete, u cenohen të drejtat bazë dhe kjo vjen si pasojat e pushtetit thuajse absolut të pronarit mbi punonjësit në rrethana të mosinspektimit shtetëror.

Studimi gjeti se 57 për qind të të intervistuarve ishin të pakënaqur me punën dhe kushtet e saj, ku pakënaqësia ishte më e madhe te punonjësit e linjave operatore dhe minierat.

“Rreth 43 për qind të të intervistuarve pranuan se të ardhurat e tyre personale nuk ishin të mjaftueshme, 44 për qind thanë se ato ishin të mjaftueshme, 11 për qind i cilësuan si të mira dhe vetëm 2 për qind si shumë të mira,” thotë studimi.

Ai nxori gjithashtu në pah faktin se puna jashtë orarit është mjaft e përhapur dhe se punëtorët jo gjithnjë paguhen për këtë punë. 75 për qind e punëtorëve gëzonin një ditë pushimi në javë, 12 për qind kishin dy ditë pushimi, ndërsa 7 për qind nuk kishin asnjë ditë pushimi në javë.

Të pyetur për kontratat e punës, shumica e punëtorëve në studim pranuan se kishin të lidhur një kontratë pune me pronarin, por më pak se gjysma dispononin një kopje të saj në sektorë si miniera, përpunimi i peshkut, masoneria dhe ndërtimi. Në 32 për qind të rasteve kontrata e punës nuk respektohej nga punëdhënësi.

Hulumtuesit gjithashtu theksuan mungesën e kërkimit të llogarisë nga ana e institucioneve shtetërore përgjegjëse për inspektimin e kushteve të punës dhe ekzistencën formale të sindikatave që nuk i shërbejnë punëtorëve.

“Kemi një rrudhje të klasës punëtore në Shqipëri pas viteve ‘90 dhe ndërgjegjja e punëtorëve si klasë është e ulët, por kjo klasë ekziston dhe është e shfrytëzuar,” tha për BIRN Arlind Qori, profesor i shekncave politike në universitetin e Tiranës.

“Vështirësia në intervista tregoi se zëri i tyre është shtypur përmes frikës dhe politikës dhe të drejtat e tyre të posaçme janë të parespektuara,” shtoi ai.

“Situata është e njëjtë edhe në Kosovë. Ku gjendja e të drejtave të punëtorëve është dobësuar dhe janë korruptuar materialisht dhe moralisht sindikatat” tha në prezantim të gjetjeve, Fitim Salihu nga Klubi Politik i Kosovës.

Instituti për Kritikë dhe Emancipim të Shoqërisë, synon të hulumtojë nga ana kritike fenomenet shoqërore që marrin pak zë në shoqërinë shqiptare dhe të hapë debat për këto çështje. Ai gjithashtu pranoi se studimi është në fazën e parë dhe se intervistat me punëtorët do të vazhdojnë.

“Nuk duam vetëm të tregojmë se cila është gjendja e punëtorëve në Shqipëri me shifra, por të nxisim gjithashtu një krijim të identitetit të punëtorëve duke ngritur dhe forcuar sindikatat,” tha për BIRN, Mirela Ruko, koordinatore e studimit. /Reporter.al/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: