Aktivistët dhe protestuesit pro-palestinezë kanë okupuar dhe mbyllur një fabrikë për prodhimin e armëve në pronësi të Izraelit që ndodhet në Leicester të Anglisë.

Dje, grupi aktivist ‘Palestine Action’ me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me protestuesit okupuan një fabrikë në Leicester ku ndodhet filiali i kompanisë izraelite ‘Elbit-Thale Systems’ dhe vazhduan të mbyllin operacionet e kompanisë duke argumentuar se dronët që po prodhohen në atë objekt po përdoren në sulmet pa kriter kundër Rripit të Gazës së bllokuar.

“Palestine Action ka okupuar fabrikën e Elbit në Leicester dhe ka lidhur me zinxhirë portat, duke ndërprerë prodhimin e armëve dhe të teknologjisë ushtarake të Elbit. Aktivistët kanë ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta në përgjigje të kanalit të armëve të Elbit në Forcën Okupatore të Izraelit (IDF), e cila po i përdor ato për të kryer krime lufte në Gaza”, tha grupi në një njoftim.

Më tej, grupi ‘Palestine Action’ tha se ky veprim ndodh gjatë “dhunës së vazhdueshme dhe të neveritshme në Gaza dhe territoret e okupuara”, ku kanë humbur jetën të paktën 227 palestinezë, përfshirë 64 fëmijë dhe 38 gra.

“Me IDF-në që shënjestron zonat civile, mjediset e kujdesit shëndetësor dhe infrastrukturën kyçe, krimet e luftës që po kryhen mbështeten në teknologjinë e prodhuar në vendndodhjet e Elbit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, theksoi grupi.

Anëtarët e grupit morën kontrollin e fabrikës në orët e para të mëngjesit, duke i kyçur portat e fabrikës dhe duke parandaluar hyrjen në fabrikë të punonjësve. Grupi ka theksuar se anëtarët e saj janë të vendosur të qëndrojnë në atë vend dhe të parandalojnë pronarët e saj të rinisin biznesin.

Kjo është hera e parë që grupi në fjalë shënjestron një strukturë të prodhimit të armëve në pronësi të Izraelit. Fabrika prodhon dronë të tipit ‘Hermes’ që janë përdorur gjerësisht nga forcat pushtuese në territoret e pushtuara palestineze. Droni i tipit ‘Watchkeeper’, i përdorur po ashtu nga forcat izraelite, është prodhuar në këtë fabrikë dhe përdoret nga vendet e tjera pritëse, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.

Rripi i Gazës i bllokuar ka hyrë në javën e dytë të sulmeve vdekjeprurëse pa kriter dhe brutale nga forcat izraelite tokësore dhe ajrore. Të paktën 227 palestinezë kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve, përfshirë 64 fëmijë dhe 38 gra, si dhe mijëra janë plagosur.

Forcat izraelite kanë shkatërruar kulla të tëra rezidenciale dhe zyra, njëra prej të cilave u përkiste mediave ‘Al Jazeera’ dhe ‘The Associated Press’. Këto akte nga grupet e të drejtave është konsideruar si krime lufte.

Forcat pushtuese po ashtu kanë shënjestruar rrjetin elektrik të Gazës, duke i lënë palestinezët pa energji elektrike dhe të shkëputur nga pjesa tjetër e botës.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb