TIRANË- Prej mbrëmjes së djeshme një grup të rinjsh, aktivistë që kundërshtojnë importin e mbetjeve janë tubuar para parlamentit në shenjë protestë kundër miratimit të ligjit.

Mëngjesin e sotëm ka pasur edhe një përplasje mes policisë dhe protestuesve dhe janë shoqëruar në Komisariatin numër 1 dy prej tyre. Bëhet fjalë për Mirel Elezin nga Kukësi dhe Oltjon Zaka nga Lushnja. Në një rrëfim për gazetarin Mariglen Mërtiri në News24, i riu nga Kukësi ka treguar arsyet që sipas tij çuan në shoqërimin në polici ndërsa tha se një nga oficerët e policisë i ka shkaktuar traumë në dorë shokut të tij.

“Rreth orës 7 të mëngjesit u paraqitën forca të shumta policie për të zhvendosur paletat e shtruara në tokë që ne i kishim vënë gjatë natës për të mos u ulur në trotuar. Policia kërkoi t’i zhvendosnim, ne kërkuam që të paktën edhe 1 orë të qëndronin paletat aty sepse nuk bllokonin rrugën. Një nga oficerët e policisë ka tërhequr me forcë një nga bashkëprotestuesit. Gjatë kësaj ndërhyrjeje ai ka pësuar edhe një traumë në dorën e djathtë. Pas shoqërimit në komisariatin numër 1 punonjësit e policisë patën një sjellje shumë profesionale dhe të edukuar. Nuk më është dhënë arsyeja e shoqërimit. Por besoj se një nga arsyet e shoqërimit tim ishte pse i kërkova të mos bërtiste”, tha Mirel Elezi.

Ai u shpreh se pavarësisht kësaj, do të vijojnë protestat dhe qëllimi i tyre është të mos votohet ligji që lejon importin e mbetjeve.

“U mblodhëm për të kundërshtuar importin e plehrave apo mbetjeve. Që njerëzit edhe të vrisnin frikën e të dilnin në protestë. Ne kishim informacione se nuk do kalojë sot në parlament. Arsyeja dihet sepse ky ligj nuk mund të marrë votat e nevojshme për të kaluar. Protestat do vazhdojnë deri sa ky ligj të mos kalojë në parlament”, tha aktivisti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb