Vijojnë kontrollet nga Policia e Durrësit, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, teksa është vendosur dhe një gjobë 5 milionë lekë të reja.

Strukturat e Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, vijojnë kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin Abdulla Duka (përfaqësues i një shoqate), pasi ka organizuar një aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ Nr. 3 datë 15.03.2020, pikën 2 të nenit 3, si dhe pikën 1 të Urdhrit nr. 633 datë 17.11.2020 “Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura”.

Aktiviteti është organizuar ditën e djeshme nga Shoqata “Durrësi Autokton” me rastin e 30-vjetorit të themelimit të shoqatës “Durrësi” tek pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid dhe i fton ata të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese, duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb