Më ka qëlluar të shkoj dy herë në stadiumin Uembli legjendar të Londrës. Një herë në dhjetor të vitit 1998 për të parë një ndeshje të ANGLISË dhe në qershor 2013 për finalen e Champions. Ndryshimi nga dy herët ishte i madh.

Në fakt dy stadiume të ndryshme me një debat në mes: kur u vendos të ndërtohej stadiumi i ri, një kundërshti e madhe filloi ndaj prishjes së tribunës Qëndrore dhe dy kullave legjendare të Uemblit të vjetër.

Arsyeja nuk kishte të bënte me arkitekturën, por me historinë. Me historinë e vërtetë. Atë të vitit 1966, kur Bobi Charlton ngriti Kupën e parë dhe të vetme të Botës për Anglinë. Se cfarë do të thotë kjo për ishullorët nuk ka vlerë t’jua them: përjetuam një dramë të gjithë kur 52 vjet më vonë, anglezët e përkedhelën nga afër kupën e Botës, por pa iu shmangur dot mallkimit të Uemblit.

Sesi përfundoi debati për tribunën e UEMBLIT, e pashe në 2013, kur finalja e Champions u luajt në stadiumin e ri. Një kompleks me thënë të drejtën mëse i zakonshëm, kueku larg Uemblit të bukur por të vjetër të dhjetorit 1998.

Teatri Kombëtar ka një histori që ngjan pak me Uemblin, dhe ndahet te kullat (e shembura në Londër, dhe ato që do ngrihen në Tiranë). Por bashkohen tek logjika ekonomike: të dyja projektet kanë në bazë fitimin. Investitorët në Uembli si duket nuk e panë ekonomikisht të udhës, të ruanin një tribunë të vjetër e ta rrethonin me xham si në muze, siç ishte një propozim.

I ngjashëm me atë të Presidentit Meta, i cili deri diku tha të enjten një gjë të përafërt: të ndërtojmë një teatër të ri duke ruajtur të vjetrin. Por ky ishte i vetmi propozim racional i kreut të shtetit, i cili në dy ditë, dy deklarata, nëntë pika dhe shumë mbështetje nga armiqtë e Edi Ramës, duke filluar nga gruaja e tij e deri tek gagacët rakitikë, që deri dje s’linin rast pa i kujtuar Metës, kasetën e Dritan Priftit, nuk arriti të bindë askënd se nga kre i shtetit, u bë më në fund burrë shteti.

Teatri Kombëtar sigurisht ka edhe shumë ndryshime të tjera nga Uembli. Historia përbëhet nga sukseset dhe dështimet. Ndaj Uembli i vjetër kishte kaq vlerë për anglezët. Anglezët e traditës që ende mbajnë lavamanët me dy cezma, të ftohte dhe të ngrohtë dhe mbyllin vrimën dhe e përzjejnë ende ujin sic e bënin në kohën e Viktorias dhe s’e pranojnë akoma mishelatorin. Anglezët që i japin makinës në krahun e kundërt, pasi thonë se edhe frerët e kalit nuk mbahen në krahun e djathtë. E megjithatë, cështje të sigurisë, nevoja, edhe rregullat e ekonomisë, e cuan Uemblin e vjetër për skrap.

Godina e Teatrit sigurisht ka historinë e saj. Aty shkëlqeu arti skenik i Naim Frashërit, i cili ishte një gjeni aty, por jo aq në ekranin e kinemasë. Sandër Prosi, Kadri Roshi, Prokop Mima, YLLKA Mujo, rolin e së cilës në Natë pa Hënë nuk do ta harroj kurrë, në shtator 1990, kur bëri Hekuran Isain të largohej, pasi ndjeu dhe ai, në moselegancën e intelektit të tij, se Yllka po impersononte në mënyrë gjeniale dhe trimërore, Nexhmije Hoxhën. Isha aty. Dhe pashë historinë të shfletohej para meje.

Por godina e Teatrit ama, nuk është Likavitoja, ku dikur athinasit e vjetër përjetonin dramat e Euripidit dhe ku sot ende shfaqen drama në Greqishten e vjetër, apo ku personalisht kam parë koncertin e Mark Knopfler. Në fakt – dhe këtu e kam gjykim thjesht personal – historia e artit skenik dhe kinematografik shqiptar, u kry në vitet 90. Cdo gje më pas ka qënë një përpjekje që vazhdon, ende modeste, për të zëvendesuar Frashërët, Roshët, Prosët dhe Mimët legjendarë.

Por për këto legjenda, artistët kanë po aq të drejte të flasin, sa edhe ne shikuesit e thjeshtë. Ndaj edhe sa kohë flisnin ata që janë akoma legjenda të gjalla si Ndrenika, apo Asqeriu, nuk e pashë me vend që të flisja. Por tani që ata pak kokrra me vlerë të artit skenik folën, s’kam asnjë dëshirë të lë të llapin vetëm ata që artistë quhen se kanë zërin e mirë për përkthime dhe dokumentarë. Në këtë pikë, në rastin më të mirë, ndihem i barabartë me ta.

Kam lexuar edhe shkrime që përflasin per shembull Flamur Nokën se mbron një teatër ku nuk ka qënë asnjëherë. Por edhe unë si miku im Flamuri, kam vite pa qenë. E para për shkak të nivelit modest ose mediokër artistik të shfaqjeve dhe e dyta prej kushteve mizerabël te godinës.

I ndesha të dyja këto gjatë një shfaqjeje dikur të Kumbaros dhe u betova se nuk do shkelja me aty. Nëse nesër ajo godinë shembet, unë s’kam asnjë nostalgji, megjithëse kam shumë kujtime që fëmijë me aktorët e mëdhenj të asaj skene, që puna më lidhte të kisha nderin t’u rrija afër edhe kur ishin në skenë, edhe kur realizonim radio drama tek Radio Tirana.

Projekti i Ingells është fantastik, shumëfishon hapësirën e Teatrit dhe ashtu si një rrugë e re edukon njerezit mos të hedhin letra dhe plehra, ndoshta edhe godina e re, do të ndikojë që artistet e brezit tjetër (se të rinj fatkeqësisht nuk janë më), të tentojnë të bëjnë dicka më shumë cilësore në performancën e tyre skenike.

Thënë këtë, pra debat artistik dhe kulturor e historik për godinën e teartrit nuk ka. Nëse pranojmë këtë, atëherë t’i lëmë artistët të bëjnë art, dhe politikanët politikë. Dhe ta gjykojmë debatin për godinën e Teatrit ashtu sic ai në të vërtetë është: politik!

Këtu aktorët për t’u gjykuar janë katër: Qeveria, Opozita, Bashkia dhe Presidenti. Po e nis me Opozitën: ajo është në të drejtën e saj të kundërshtojë. Sa kohë që artistët e vërtetë ushqyen debatin ajo ishte në të drejtën e saj për të akumuluar pikë. Kur ata heshtën, ajo prapë është në drejtën e saj t’ja fusi kot. Thjesht një debat që asaj mund t’i japë ndonjë pikë që kishte humbur brenda kampit të vet, dhe ashtu sic tha Erion Veliaj ditën e enjte pas vendimit të Presidentit për kthimin e ligjit për teatrin, “thjesht grumbullon radhët e mbështetësve të maxhorancës”.

Për grupimin e tretë ama, atë në mes, historia e Teatrit lidhet me memorien e vitit 2001 2002. Edi Rama atëherë kryetar bashkie, tentoi për herë të parë shembjen e godinës, ndërtimin e një kulle dhe dhenien e kateve të para të saj – tre mos gaboj – Teatrit Kombëtar.

Edhe atëherë Edi Rama u përlesh nga “brekët e Violeta Manushit” e deri tek ministrja e Kulturës, Arta Dade. Por ishin kohë të tjera. Violeta ishte legjendë e gjallë dhe Arta Dade ishte ministrja e fundit e vërtetë e Kulturës. Ajo i vuri gjoksin cështjes dhe nuk e lejoi dhe nuk lejoi as spostimin e teatrit diku pranë Gardës së Republikës, në vendin e zënë nga një disko pa leje.

Sot gjërat janë pak më ndryshe. Edhe nëse interesi ekonomik për zonë të qendrës nuk ka ndryshuar, përkundrazi është shtuar, së paku projekti i ri nuk cënon teatrin, shton hapësirën e tij dhe fut Tiranën në listën Must Visit të turizmit arkitekturor. Edi Rama tani në qeveri, po kërkon të clirojë nga prangat e planeve rregulluese një zonë jo dhe aq të bukur të qendrës, skyline i se cilës prishet shëmtuar vetëm nga Torre Drini, që i bën hije keq, gjësë më të bukur që ka Tirana, Kullës së Sahatit.

A ka interesa ekonomike? Sigurisht po. Edhe nga pronarët e vjetër tiranas të asaj zone, që panë sesi u plakën pa përfituare asgjë dhe shohin sesi protestojnë ata që fituan gjithcka, sepse ndryshe nga ata, zaptuan toka nga Lapraka e tutje dhe u ndihmuan nga shteti. Sot u duhet të durojnë edhe protestat e këtyre të fundit, që u thonë se ata, ndryshe nga Bathorja, Paskuqani apo Fresku, nuk mund të ndërtojnë në tokat e tyre në qendër të Tiranës. Se tironsit e vjetër nuk janë pronarë te Bathores, ndërsa legalistët e Bathores qenkan pronarë edhe të tokave shekullore të asaj që sot, është qendra e Tironës.

I duhet të durojnë edhe ata që për Bulevardin e ri kërkonin dëmshërblim për tokëzanësit e rinj me cmimet e kripura të Qendrës, apo edhe presidentin e Republikës që tenton të sillet si burrë shteti me Teatrin, por si kryetar kuvendi dhe partie, kur vjen puna për Kullën arabe, tek bulevardi i ri, për të cilën jo thjesht firmosi, por ishte nismëtar nje ligji tëpkë të njëjtë me atë që i la qeveria në tavolinë për Teatrin. Gjithsesi debati për teatrin është politik pikërisht pëer këtë arsye: se përjashton faktorin moral.

Edi Rama ishte në 2002, Edi Rama është dhe sot ai që kërkon të shembë Teatrin e vjetër. Tashmë qëllimet e tij i gjykon gjithë Shqipëria dhe jo vetëm Tirana. Por ndryshe nga 16 vjet më parë, së paku Tirana, pronarët, Teatri përfitojnë shumë më tepër nga ky projekt i ri. Dikush do të pyesë me të drejtë se përse na duhet të zgjedhim gjenë më pak të dëmshme dhe përgjigja ime është e thjeshtë: në tranzionin e stërzgjatur shqiptar, kjo quhet progres. Gjykimin e kanë në dorë shqiptarët kur ta votojnë pas tre vjetësh.

Ndërsa Erion Velinë do ta gjykojnë vitin tjetër. Kryetari i bashkisë mori një nisëm që dukshëm nuk ishte e tija, dhe e bëri të shitshme, të përtypshme, të pranueshme nga shumica. Padurimit apo padëshirës së Ramës për të qënë edhe më shumë transparent për projektin, ai iu kundërvu me durim dhe dëshirë, për të bindur të gjithë. Pati jo pak sukses, duke gjykuar sesi cështja nisi dhe nuk nisi si një debat politik. Por Veliaj aty ku pati suksesin, pati edhe dështimin. Kryebashkiaku nuk arriti ta mbyllte edhe debatin politik, me nënshkrimin apo miratimin në heshtje të ligjit per Teatrin nga Presidenti i Republikës.

I vetmi qeveritar që ende ulej e pinte kafe me Ilir Metën që prej verës së vitit të shkuar, Veliaj shpresoi deri në fund në një përplasje të heshtur me kreun e shtetit. Duke harruar shijen e hidhur të darkës te Pazari i ri, kur u mbyllën pazaret e vjetra, për tu hapur të reja para kamerave, një ditë më pas. Por është cështje përvoje dhe besoj Veliaj e nxori mësimin e tij. E dha sinjalin me atë deklaratë të ashpër kundër Ilir Metës, ku deklaroi shkëputjen e cfarëdo raporti te hapur apo të mbyllur, duke filluar nga kafet e darkat, e deri tek aksesi ekonomik që LSI ende ruante në bashki, ujësjellësa e punësime.

Erion Veliaj iu drejtua Ilir Metës jo si burrë shteti, por si burri i Monika Kryemadhit, duke pranuar atë që në fakt të gjithe e dinim: se ndryshe nga sa mendon Edi Rama, Ilir Meta nuk është presidenti më i mirë që kemi pasur, por më i keqi. Sepse, jo per faj të tij, ia kemi pranuar që në fillim të gjithë ne, handikapin e madh që ai ka, si bashkëshort i bashkëkryetares së opozitës. Ndaj më përzihet kur deputetë të thekur dhe mbëshetës të qeverisë, hedhin vrer per këtë fakt, që ka qënë aty dhe s’e ka fshehur kush. Përkundrazi, kryeministri ka qene i pari që ia ka bërë nul këtë “difekt” të Ilir Metës, kur e bëri president.

Si përfundim nga kjo mesele përfundimet s’’janë edhe aq të këqija. Nga shtatori do kemi një Teatër të ri. Nga shtatori i rikthehemi normalitetit politik te 28 viteve kur vendi nuk ka një president real, dhe një qeveri që duhet të bëjë hesapet mirë me opinionin publik në mes të mandatit të dytë të saj. Më në fund ska me asnjë hije dyshimi se mes PS dhe LSI ka kanal komunikimi. Veliaj që e mbante hapur, e mbylli këtë kanal. Dhe tani i mbetet të provojë se vitin tjetër ashtu si shefi i tij i madh në 2017, i fiton zgjedhjet edhe vetëm.

Debati per teatrin demaskoi më në fund dhe aktrimin e dobët të Ilir Metës për t’u shfaqur si burrë shteti. Të paktën tani e dimë se vetëm burri i kujt është.(Javanews)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: