TIRANE

Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani dhe Artan Imami bëhen bashkë në skenë. Katër aktorët e njohur morën pjesë në një mbrëmje me lexime nga romani i ri i shkrimtarit Brajan Sukaj, “I pushtuari dhe nata”. Vepra vërtitet rreth jetës së një piktori që është në dilemë ndërsa rreket të gjejë stilin e tij, elementin që e diferencon nga të tjerët dhe e bën unik siç ndodh me artistët që bëjnë epokë.

Një artist i ri, një grua, e ardhmja dhe kërkimi vetiak që shtyhet gjer në antikitetin grek. Dashuria për një grua, kërkimi i muzës së krijimit, destini dhe destinacioni, vijnë krahas pikëpyetjeve mbi qenien. Vetë fati është një personazh në vepër, duke na bërë të shqyrtojmë lirinë individuale mbi zgjedhjet tona dhe zgjedhjet tona si vendimmarrëse mbi lirinë.

Fati i Edipit dhe mallkimi që bart, Iliada dhe Odisea, kanë shërbyer si shtysa letrare për të “Pushtuarin dhe Naten” e Sukajt, trajtuar përmes linjës së autorit dhe qëllimeve të tij estetiko-letrare.

Brajan Sukaj është fitues i çmimit për romanin më të mirë në Panairin e librit në 2018 me romanin “Ciklopi”. Vepra pasardhësese, “Viti i elefantit” shënoi një tjetër qasje letrare duke vënë në qendër dramën e flijimit, në Mekën para profetike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb