Aktori hollivudian Danny Glover, veshi kostumin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri në xhirimet e serialit “The prosecutor” “Prokurori”. Në një intervistë për News 24, aktori me karrierë 35 vjeçare në ekran, i cili kapi majat e famës në rolin e agjentit të policisë në serinë e filmave “Arma vdekjeprurëse”, ku luan përkrah të famshmit Mel Gibson thotë se po largohet me përshtypjet më të mira për shqiptarët dhe Shqipërinë për të cilën nuk kishte dëgjuar kurrë më parë.

“Do u them miqve se sa të mrekullueshëm janë shqiptarët, pata fatin të shëtisja vendin tuaj, kam takuar njerëz të mahnitshëm. Pashë njerëz të thjeshtë, punëtorë, më kujtuan gjyshërit e mi, prindërit.

Në rolet që kam luajtur, në bashkëpunimin që kam pasur me Kombet e Bashkuara si ambasador për të bërë gjëra, unë ndihem krenar. Jam krenar që jam aktor i suksesshëm por edhe se kam mundësi ta bëj botën një vend më të mirë. Me regjizorin shqiptar unë do të punoj sërish, do e gjej një mënyrë si të bashkëpunoj patjetër”,-tha aktori hollivudian Glover në intervistën dhënë gazetares së News 24 Aurora Golemi.

Xhirimet u zhvilluan në fshatin piktoresk Vuno të Himarës, në Bulqisë dhe Tiranë.Seriali me regji dhe skenar të Fatmir Dogës është aksion-triler dhe për realizimin e tij është filmuar në disa shtete europiane. Seriali “Prokurori” me 10 seritë e para i ka kaluar tashmë filtrat e Netflix, Amazon dhe pritet në transmetohet në njërën nga platformat në shtator të këtij viti tha regjizori Doga. Sakaq producenti i serialit Ylli Ujka tha se të tjerë yje të Hollivudiut do të marrin pjesë në projekte të tjera, synohet të ngrihet një industry e tërë që do të gjenerojë vende pune. Aktori amerikan Danny Glover është nominuar për 4 çmime Emmy.Mediat amerikane e vlerësojnë si një nga aktorët më të mirë që nuk ka marrë kurrë një nominim për “Oscar”.

Glover gjithashtu është ambasador i Kombeve të Bashkuara dhe aktivist i angazhuar në çështje që përfshinë të drejtat civile, krizat humanitare apo emigracioni.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb