TIRANE- Aktori i mirënjohur shqiptar, Robert Ndrenika, feston sot ditëlindjen e 74-t. Kanë qenë të pafund mesazhet për urimin në adresën e “Facebook-ut” të mjeshtrit të madh të aktrimit, Robert Ndrenika, si nga familjarë, kolege, miq e shumë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare që i kanë uruar Robert Ndrenikës për shumë shëndet dhe lumturi.

Por mjaft i veçantë ishte urimi i Dritan Hilës. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hila shprehet se nëse Ndrenika do të kishte lindur në Britaninë e Madhe, prej kohesh do të kishte marrë titullin “Sir”.

“Nëse do te kishe lindur ne Britaninë e Madhe, prej kohesh do te kishe marrë titullin “Sir”, si njeri dhe si artist. Ketu, siç e ke thënë edhe vetë, “lulet i hane gomerët”. Dhe ti e di sa zevzeke jane shqiptaret e sa pak e duan sho-shoqin. Ti e di se me kollaj mbushet nje thes me pleshta sesa behen shqiptaret ne nje mendje. Megjithate ty te duan. U befsh 100 vjeç, Sir”, shkruan Hila.

Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në 1942. Në vitet 1960-1964 ka studiuar për aktor ne Shkollën e Larte “Aleksander Moisiu”. Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” te Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension. Sot punon si aktor i lirë.

Në vitin 1979 i është akorduar titulli “Artist i Merituar” dhe ne vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”. Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mire në Festivalin Kombëtar te Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos dhe ne Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936″.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb