TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron konsumatorët se produktet që ata konsumojnë janë të sigurta. Në një intervistë për News24 kreu i këtij institucioni Afrim Bakaj deklaron se nuk ka produkt apo stabiliment prodhues që nuk kalon në sitën e inspektorëve.

Madje sipas tij gjatë vitit 2014 ky institucion ka rritur me 14 mijë inspektimet duke vendosur 353 gjoba në shumën 186 milionë lekë, ndërsa sasia e ushqimeve të bllokuara jashtë standardit kap shifrën e 10.4 ton.

“Nuk ka subjekt në Shqipëri, bar, restorant, stabiliment prodhimi apo importues nga vendet e BE-së apo vendet e treta që nuk kontrollohet nga AKU. Kemi bërë gati 14 mijë inspektime më shumë, të cilat tregojnë edhe nivelin dhe kontrollin në të gjithë territorin e Shqipërisë. Gjatë vitit 2014-të ne kemi vendosur 353 gjoba, me një shumë prej 186 milionë lekë të vjetra. Kemi bërë 586 bllokime aktiviteti që prodhojnë në kushte jo të përshtatshme me legjislacionin shqiptar”, tha Bakaj.

Por si kontrollohen subjektet dhe si është derivati i këtyre kontrolleve. “Subjektet bar dhe restorante i kontrollojmë njëherë në vit, ndërsa stabilimentet e peshkut 2 herë në muaj, supermarketet deri në 4 herë në vit”, – shtoi Bakaj më tej.

Zoti Bakaj duke e parë konsumatorin si aleat, ka edhe një thirrje për tu bërë.

“Të konsumojnë produkte që janë me etiketa, të vendosura si nëpër dyqaner të licencuara. Sa i përket qumështit ne garantojmë që të gjithë stabilimentet tona punojnë në kushte mjaft të mira

Megjithëse numri i inspektimeve është rritur, numri i inspektorëve ka mbetur në shifrat 286 në rang vendi, gjë e cila vështirëson punën e këtij autoriteti.

Denoncimet e qytetarëve kanë një rëndësi të veçantë në këtë institucion. Ndaj ato trajtohen me seriozitet duke rikontrolluar subjekte dhe çuar deri në fund vërtetësinë e fakteve.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: