Dje pasdite Federata Shqiptare e Futbollit doli me mjoftimin se në asamblenë e përgjithshme të Shoqatës së Futbollit në Tiranë, u mbajtën zgjedhjet për kryetarin e shoqatës, ku fitues ka dalë kandidati Krenar Alimehmeti me 44 vota, përkundrejt 2 votave të Eduard Prodanit i cili braktisi asamblenë bashkë me disa mbështetës të tij përpara se të fillonte votimi, vendim ky për shkak se numri i delegatëve nuk ishte ai që rezulton në faqen e FSHF-së, por tejet më i lartë.

Nga 41 anëtarë kanë dalë për votim 65 delegatë, duke blinduar kështu një fitore të sigurt për kryetarin e shoqatës së futbollit në kryeqytet.

PRAPASKENAT
Nisja e asamblesë së përgjithshme të Shoqatës së Futbollit Tiranë ishte përcaktuar të fillonte në orën 15:00, në ambientet e FSHF-së, por pati disa vonesa, për shkak organizimi, dhe asambleja filloi rreth orës 15:35. Të gjithë delegatëve të shoqatave anëtare u është kërkuar mjeti i identifikimit te dera hyrëse.

Në momentin e nisjes së asamblesë u mbajt himni i flamurit dhe një minutë heshtje për 10 personazhet e botës së sportit që kanë ndërruar jetë gjatë vitit 2021.

Më pas fjalën e mori Sulejman Mema që përshëndeti dhe lajmëroi mbarimin e mandatit të kryetarit të kësaj shoqate. Në dy karriget e fundit të sallës ishin ulur ngjitur edhe dy kandidatët e propozuar për kryetar: Alimehmeti dhe Prodani.

TENSIONI
Në ato pak minuta që u lejua media në sallën ku ishin mbledhur delegatët, arriti që të shihte edhe tensionin që e shoqëroi këtë asamble.

Një anëtar i shoqatës, Ergys Kadiu, mori fjalën duke shprehur ankesat e tij për kushtet që ndodhet futbolli i moshave në kryeqytet, duke shtuar që shoqata nuk i ka ndihmuar asnjëherë dhe këto zgjedhje janë një farsë, duke akuzuar drejtpërdrejt edhe sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulkun, që ndodhej në sallë.

“Me gjithë respektin për ju profesor Mema, por këtu është e vendosur se kush do të zgjidhet dhe fjalimin që ke para e ke gati. Unë nuk jam zari i Ilir Shulkut, që thotë as mish as peshk, nuk më bën dot budalla”, përfundoi anëtari i shoqatës. Kontestime kishte edhe për komisionin e verifikimit të delegatëve, që sipas disa anëtarëve, duhet të krijohej në fillim të asamblesë, por në rend dite ishte në fund.

BRAKTISJA E ASAMBLESË
Përveç sallës “bunker” ku mbahej kjo asamble në të cilën nuk kishte asnjë mundësi për të kapur valë telefoni, media u përcoll jashtë saj, duke çuar transparencën në nivelin 0 dhe duke nxjerrë gazetarët jashtë në temperaturën -1.

Disa minuta pas daljes së mediave, u pa që edhe kandidati Eduard Prodani, bashkë me një pjesë të mbështetësve të tij, dolën jashtë ambienteve ku mbahej asambleja, pasi, sipas tyre, numri i delegatëve ishte rritur qëllimisht nga FSHF-ja dhe nga 41 që pritej të ishin, numri kishte shkuar në 65, driblim ky që do të shpallte fitues të blinduar Krenar Alimehmetin.

Gjithsesi, punimet e asamblesë vazhduan e në përfundim të saj u zgjodh kryetari i shoqatës dhe delegatët me të drejtë vote për asamblenë zgjedhore më 2 mars 2022.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb