Sipas një raporti televiziv hulumtues, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë financuar fushata mediatike dhe nxitëse kundër Katarit dhe Turqisë.

Sipas raportit nga televizioni Al-Jazeera me bazë në Doha, EBA ka drejtuar një projekt dixhital të quajtur “Inteligjenca arabe” për të shënjestruar qeveritë e disa shteteve, përfshirë Turqinë dhe Katarin.

Raporti citoi ato që i quajti mesazhe të rrjedhura nga Ministria egjiptiane e Punëve të Jashtme lidhur me koordinimin me EBA-në, Arabinë Saudite dhe Bahreinin për të sulmuar Katarin dhe institucionet e tij ekonomike dhe mediatike në arenat ndërkombëtare.

Raporti theksoi se është bllokuar një rrjet prej 271 llogarish të rreme në Twitter, që ishin të lidhura me “Dot Dev Company”, kompani e cila raportohet se operon në EBA dhe Egjipt dhe që synon të shënjestrojë Katarin dhe vendet e tjera, përfsirë Iranin.

Sipas raportit, Twitter po ashtu bllokoi 4.248 llogari për shënjestrimin e Katarit me mijëra postime të gabuara dhe të rreme.

Raporti investigativ po ashtu zbuloi se EBA ka financuar grupe ‘think-tank’ në Washington për nxitje kundër Katarit, në koordinim me bllokun e udhëhequr saudit.

Sipas raportit, Abu Dhabi promovoi disa hashtag në Twitter për përmbysjen e regjimit në pushtet në Katar.

Mbi pretendimet deri më tani nuk ka pasur asnjë koment nga EBA, Egjipti, Arabia Saudite apo Bahreini.

Të katër vendet ndërprenë marrëdhëniet me Dohan zyrtare në mes të vitit 2017 dhe imponuan një bllokadë tokësore, detare dhe ajrore, duke akuzuar Katarin për mbështetje të terrorizmit dhe ndërhyrje në punët e tyre të brendshme. Katari mohon akuzat dhe ka shprehur hapjen e dialogut për t’i dhënë fund bllokimit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb