Pas dorëheqjes së Meliza Haradinaj–Stublla nga drejtimi i ministrisë së Jashtme së Kosovës dhe nga partia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vjen një reagimin nga kjo e fundit.

Lajmi.net ka kontaktuar nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj. Haradinaj deklaroi se e vlerëson Meliza-Haradinaj Stublla dhe sipas tij ajo është një grua e fortë dhe e ndershme. “Unë personalisht e çmoj dhe e konsideroj të ngutshëm këtë veprim, por prapë se prapë unë e kam mike atë dhe familjen e saj”, -tha Daut Haradinaj.

Madje sipas tij zhurma rreth numërimit të votave në kuadër të zgjedhjeve të 14 shkurtit duhet të sqarohet dhe se kushdo që gjendet se është përgjegjës të marrë atë që e meriton. Në dorëheqjen e saj, ndër të tjera Meliza-Haradinaj Stublla jo-qartazi foli edhe për disa pakënaqësi që pati brenda kësaj partie. Madje ajo tha se nuk është sekret që Aleanca nuk ka qenë favorit për t’i fituar zgjedhjet, dhe ky fakt ka alarmuar disa që mbijetesën politike e kanë luftë për ekzistencë!

“Ata janë angazhuar që me çdo kusht të fitojnë betejën zgjedhore, pa zgjedhur mjet e as rrugë. Me çdo kusht kanë aderuar njerëz të padëshmuar e të panjohur për strukturat e partisë, për të ndërtuar projeksionet dhe aleancat e tyre për mirëmbajtjen e kontrollit dhe shantazhit përbrenda. Distancimi im nga një parti tek e cila kam besuar fort dhe kontribuar shumë, mbi 15 vjet, nuk e kam menduar asnjëherë që do të vijë. Por tani që erdhi, jam në paqe që po largohem nga prezenca toksike e disa njerëzve që AAK-në e bëjnë parti të pareformueshme, dhe kryetarin Haradinaj të izoluar”, tha ajo.

Javën e kaluar në media janë publikuar disa video-incizime në bazë të së cilave dyshohet se bashkëshorti i ish-ministres , Dardan Stublla ka manipuluar në sigurimin e votave për kandidaten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla. Pas publikimit të kësaj video pati reagime të shumta edhe nga bashkëpartiakë të saj si dhe nga kandidatë të tjerë të subjekteve politike, të cilët kërkuan rinumërim të votave nga zgjedhjet nacionale të zhvilluara më 14 shkurt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb