Gjykata e Romës ka shpallur të pafajshme duke e zhveshur nga të gjitha akuzat kryetaren e bashkisë së Romës, Virginia Raggi, e akuzuar për falsifikim të akteve publike në procesin hetimor kundër shefit të kabinetit të saj, Raffaelle Marra, i akuzuar për abuzim detyre duke emëruar vëllain e tij në postin e Drejtorit të Departamentit për Turizmin në Bashkinë e Romës.

Prokuroria e Romës përfshiu në hetimet e saj dhe kryebashkiaken Raggi duke kërkuar 10 muaj burg për falsifikim aktesh publike në emërimin e këtij posti të rëndësishëm në administratën e Romës.

Kryebashkiakja e Romës ishte e pransishme në seancën gjyqësore mbajtur të shtunën 10 nëntor  ku gjykatësi Roberto Ranazzi ka lexuar vendimin e trupit gjykues sipas të cilit “falsifikimi për të cilin akuzohet Virgjinia Raggi nuk përbën krim.”

“Vendimi i sotëm hedh poshtë dy vite baltë që janë hedhur ndaj meje”, ishte komenti i parë i kryebashkiakes Raggi, e cila shtoi se do eci përpara me kokën lart në Romë, në këtë qytet të dashur për të e për banorët e tij. Kam bërë gjithçka me korrektësi e transparencë, tha ajo,  e në të mirë të qytetit. Besoj në punën time e në impenjimin konstant ndaj një projekti të nisur më 2016 kur m’u besua drejtimi i qytetit që adhuroj.”

Ndaj vendimit të gjykatës së Romës është shprehur i kënaqur dhe zëvëndëskryeminstri e lideri i 5 Yjeve Luigi Di Maio, i cili në një postim në facebook shkruan: “Forca Virginia. I kënaqur se të kam mbrojtur e të kam besuar gjithmonë.”

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb