Autoritetet në Pakistan arrestuan të martën në Islamabad ish-Kryeministrin Imran Khan, udhëheqësin e partisë më të madhe politike në vend.

Politikani 70-vjeçar u arrestua ndërsa po përgatitej të merrte pjesë në një seancë gjyqësore, për t’u përballur me dhjetëra akuza që rëndojnë ndaj tij, nga dyshimet për terrorizëm e korrupsion, tek akuzat për tradhti ndaj atdheut e vepra të tjera penale.

Avokatët e zotit Khan pretenduan se forcat paraushtarake e kishin sulmuar atë fizikisht përpara se ta ndalonin, e t’ua dorëzonin autoriteteve.

Partia e zotit Khan denoncoi arrestimin e udhëheqësit të saj.

“Futja në ambientet e Gjykatës së Lartë në Islamabad për të rrëmbyer Imran Khanin është terrorizëm shtetëror, Ligji i xhunglës është në veprim. Ata rrahën avokatët si dhe Imran Khanin, e më pas e rrëmbyen atë”, shkruante në Twitter Shireen Mazari, një ndihmës i ngushtë i udhëheqësit të opozitës, postim të cilin ai e shoqëronte me një video që sipas tij tregonte momentin e ndalimit të zotit Khan nga forcat e sigurisë.

Ministri i Brendshëm i Pakistanit Rana Sanaullah konfirmoi arrestimin, por hodhi poshtë akuzat për sulm fizik ndaj ish-kryeministrit.

Mbështetësit e partisë së zotit Khan, Tehreek-e-Insaf apo PTI-së, dolën në rrugë në Islamabad e në pjesë të tjera të vendit për të protestuar kundër arrestimit të tij. Policia në Islamabad bëri përpjekje për të shpërndarë protestuesit dhe arrestoi dhjetëra prej tyre. Po kështu pati njoftime për përdorim dhune ndaj protestuesve.

Adam Weinstein, studiues në institutin ‘Quincy’ në Uashington thotë se “arrestimi i Imran Khanit i hedh edhe më shumë benzinë situatës së trazuar politike ndërsa vendi ndodhet pranë një krize ekonomike”.

“Do të forcojë pikëpamjet negative ndaj ushtrisë dhe do të mbjellë kaos në rrugë”, shkruante ai në Twitter.

Arrestimi ndodhi vetëm disa orë pasi zoti Khan ofroi detaje të reja lidhur me pretendimin e tij, se një gjeneral i lartë brenda agjencisë së zbulimit ushtarak pakistanez (ISI), po komplotonte për ta vrarë atë.

Udhëheqësi i opozitës paralajmëroi se një gjë e tillë mund të bëjë që Pakistani, një vend me rreth 220 milionë banorë, të përfshihet nga trazira të mëdha, edhe më të mëdha se ato me të cilat u përball Sri Lanka vitin e kaluar.

Në nëntor të vitit 2022 zoti Khan u plagos gjatë një atentati me armë zjarri kundër tij ndërsa drejtonte një marshim proteste antiqeveritare pranë Lahores, kryeqytetit të Punjabit, provincës më të populluar të Pakistanit. Gjatë incidentit humbi jetën një person, ndërsa vetë zoti Khan u plagos me plumb në këmbë.

Zoti Khan akuzoi gjeneral-majorin e ISI-t Faisal Naseer, si një nga personat që kishte planifikuar atentatin kunër tij.

Zyrtarët qeveritarë kanë thënë se atentati ndaj ish-kryeministrit ishte vepër e një personi të vetëm, i cili tashmë ndodhet në paraburgim dhe e ka rrëfyer krimin në një video, që ka qarkulluar në mediat sociale duke ngjalluar mjaft debat./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb