Gjykata e Posaçme dërgon për gjykim çështjen ndaj gjyqtares Mimoza Margjeka, bashkëshortit të saj Arben Cara, avokatit Skënder Demiraj dhe dy të tjerëve.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, në seancë paraprake, bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur sot të dërgojë për gjykim të çështjes penale me nr.186 të vitit 2020 në ngarkim të të pandehurve:

Nejton Bali, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i K. Penal;

Klaudjo Zhilla, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i K.Penal;

Skënder Demiraj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319 e 25 i K.Penal;

Mimoza Margjeka, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i K.Penal.

Arben Cara, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç e 25 i K.Penal.

Të pandehurit Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, i kanë dhënë te pandehurës Mimoza Margjeka, me funksion gjyqtare, ndërkohë që ushtronte funksionet në Gjykatën e Apelit Korçë, nëpërmjet bashkëshortit të saj, të pandehurit Arben Cara, një shumë parash prej 6 000 (gjashtë mijë) eurosh, si përfitim të paligjshëm.

Kjo shumë parash, është dhënë me qëllim ndryshimin e masës së sigurimit nga ajo e “arrestit në burg”, në atë të “garancisë pasurore”, ndaj shtetasit Orion Bali, i arrestuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale të “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal. Në shkëmbim të përfitimit të paligjshëm, ka rezultuar se Gjykata e Apelit Korçë ka ndryshuar masën e sigurimit nga arrest në burg në atë të garancisë pasurore, për këtë shtetas.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb