TIRANE- 25 punonjës të administratës publike, përkatësisht të ZRPP dhe ALUIZNI-t janë dërguar për ndjekje penale vetëm gjatë periudhës 16 prill-30 maj 2018, të akuzuar për veprën penale të korrupsionit.

Gjatë takimeve të zhvilluara në njësitë administrative Orikum dhe Qendër në qarkun e Vlorës në kuadër të turit të llogaridhënies, “Puna për Shqipërinë që duam”, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka ndarë me banorët e këtyre zonave masat e marra dhe rezultatet e arritura në luftën kundër korrupsionit.
“Që nga 16 prilli deri në 30 maj, pra në një periudhë 1 muaj e gjysmë janë dërguar për ndjekje penale 25 zyrtarë të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe ALUIZNI-t. Pra vetëm në 1 muaj e gjysmë janë marrë masa represive duke përfshirë që nga regjistruesit dhe deri te punonjësit më të thjeshtë”, ka deklaruar ministrja Gjonaj.

Në rolin e Koordinatore Kombëtare antikorrupsion Gjonaj është ndalur në veçanti në përbërjen dhe funksionim e Task Forcës antikorrupsion duke thënë: “Një ndër mekanizmat që është ngritur për të kapur dhe për të luftuar rastet e korrupsionit është pikërisht Task Forca kundër korrupsionit. Task forca ka në përbërje të saj Drejtorinë e Antikorrupsionit pranë Kryeministrisë, Agjensinë e Prokurimeve Publike dhe një sërë drejtorish apo agjencish të tjera, të pavarura, të cilat të gjitha së bashku, në mënyrë ndërinstitucionale do të bëjnë të mundur që të gjitha zyrat e shtetit ku ofrohet shërbim të kapin rastet abuzive të kryera nga punonjësit e Administratës Publike”.

Ministrja e Drejtësisë ju ka kërkuar banorëve që jo vetëm të mos pranojnë të japin ryshfet, port ë denoncojnë çdo rast kur punonjësit e administratës u kërkojnë shpërblim për shërbimet publike që ua garanton shteti pa pagesë. “Ju lutem mos pranoni të jepni ryshfet dhe ju lutem përsëri, zyrtarisht dhe personalisht: Denoncojini rastet e korrupsionit. Nuk tolerohet as edhe një”, është shprehur ministrja Gjonaj.

3 ditë më parë kryeministri Rama shkarkoi 4 drejtorë Hipoteke dhe dy të ALUIZN-it, për shkak të performancës së ulët. Kujtojmë se prej kohës Rama ka paralajmëruar shkarkime nga puna për të gjithë punonjësit e administratës që nuk përmbushin kërkesat dhe nuk janë efeçientë në punë, ku në fokus është shërbimi ndaj qytetarëve, ndërsa nuk kanë qenë të pakta rastet kur ata janë çuar për procedim.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: