Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin me 12 vjet burgim për biznesmenin Namik Pelivani, administrator i subjektit ndërtues “Pelivani” shpk, i akuzuar për “Mashtrim”, me pasoja të rënda.

Nga hetimet, ka rezultuar se i pandehuri nuk ka respektuar kontratën që, nëpërmjet një ndërmjetësi, kishte nënshkruar me disa familje për të shfrytëzuar truallin ku ishin ndërtuar shtëpitë e tyre, për ndërtimin e një pallati në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.

Në Mars 2015, pjesëtarë të këtyre familjeve kallëzuan administratorin Namik Pelivani për mashtrim, pasi më parë ishin ngjitur, në formë proteste publike, në tarracën e pallatit që po ndërtohej prej tij në truallin ku më parë ishin shtëpitë e tyre.

Procesi ndaj të pandehurit është zhvilluar me gjykim të shkurtuar. Për këtë arsye, i pandehuri përfiton uljen me 1/3 e dënimit nëse shpallet fajtor.

Shoqëria “Pelivani” sh.p.k pasi ka lidhur akt-marrëveshjet me pronaret e truallit për ndërtim objekti, me Vendimin nr. 10, date 12.11.2009 te KRRT-se Komunës Kashar, ka marre lejen për të ndërtuar një godinë banimi dhe shërbimesh 2, 4, 6 dhe 9 kate me dy kate bodrume në zonën e Unazës se Re. Ndërkohë shoqërisë “Pelivani” sh.p.k, nga shoqëria “ASK” sh.p.k. me administrator shtetasin Alket Karemani, i është bërë një propozim për të lidhur një kontratë si nën/kontraktore, që konsistonte në kryerjen e disa shërbimeve (zëra të punimeve të ndërtimit) të cilat do të formalizoheshin në një kontratë nën-kontraktore. Me këtë shoqëri, Shoqëria “Pelivani” do të lidhte kontratë duke e kushtëzuar me disa kushte që kishin të bënin me investimin dhe financimin e punimeve, cilësinë etj.

Shoqëria ASK, ka lidhur një “Kontrate Noteriale Sipërmarrje (nënsipërmarrje bashkëpunimi)”, më datë 14.02.2009.  Në bazë të nenit 2 të kësaj kontrate, shoqëria “ASK” sh.p.k. merrte me nënsipërmarrje për ndërtim një godinë, në truallin që i ishte miratuar për ndërtim shoqërisë “Pelivani” sh.p.k., sipas akteve të sipërcituara. Në nenin 4 të kësaj kontrate është parashikuar se nënsipërmarrësi do të prishë ndërtimet ekzistuese mbi këtë truall, pas realizimit të aktmarrëveshjeve me familjet që i kanë këto ndërtime, që ishin në proces legalizimi dhe u përjashtuan më pas nga ky proces me anë të Vendimit nr. 93 datën 24.09.2007 të Këshillit të Komunës Kashar. Këto marrëveshje do të bëheshin në zbatim të ligjit 9482 date 03.04.2006, “për Legalizimin , Urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”. Të gjitha këto aktmarrëveshje, do të merrnin jetë mbas finalizimit të kontratës së nën/sipërmarrjes midis shoqërisë “Pelivani” shpk dhe Shoqërisë “ASK”shpk dhe do  t’i dorëzoheshin për miratim subjektit ndërtues “Pelivani” sh.p.k. Shoqëria “ASK” shpk, kishte marrë përsipër që të lidhte kontratë dhe të sistemonte me sipërfaqe banimi, sipas ligjit 9482 datë 03.04.2006 të gjithë shtetasit që kishin ndërtuar pa leje dhe që nga Aluizni nuk ju ishte miratuar kërkesa për t’u futur ne proces legalizimi.

Në këto akt-marrëveshje, shoqëria “ASK”, në cilësinë e nënkontraktorit, merrte përsipër që, për llogari të palës së paditur, shoqëria “Pelivani” sh.p.k., të sistemonte këto familje, të cilat dispononin ndërtime pa leje, në banesa me qira, për periudhën nga momenti që ato do të lironin banesën, deri në momentin që do të merrnin në dorëzim ambientet e banimit, në ndërtimin e ri. Minimumi i pagesës se qirasë do të ishte 6 muaj ose ekuivalenti me lekë në dorë. Kontratën e datës 14.02.2009, lidhur midis Shoqërisë “Pelivani” sh.p.k. dhe Shoqërisë “ASK” sh.p.k, i pandehuri Namik Pelivani, në mënyrë të njëanshme, me pretekstin se shoqëria “ASK” sh.p.k. nuk mund të vazhdonte pasi nuk plotësonte kriteret dhe kërkesat e parashikuara në këtë kontratë, i mungonin mjetet financiare etj, i ka bërë me dije nënkontraktonit “ASK shpk, se nuk mund të vazhdonte më tej me finalizimin e kësaj kontrate.

Duke përdorur firmën “Ask” shpk, e cila me anë të lidhjes së kontratave të porosisë me banorët që kishin ndërtuar banesa pa leje, realizon prishjen e banesave  dhe kthimin e truallit në shesh ndërtimi, i pandehuri shmang pengesën e tij për të realizuar qëllimin e tij, lirimin e truallit dhe kthimin e tij në shesh ndërtimi.

Sapo firma “Ask” shpk realizon shembjen e banesave, ai në mënyrë të njëanshme dhe të pajustifikuar prish marrëveshjen me këtë firmë dhe nuk njeh kontratat e lidhura prej saj me banorët duke ndërprerë pagimin e qirasë së banesave ku ata ishin strehuar. Me miratimin e sheshit të ndërtimit përjashtohen banorët që shembën banesat nga procesi i legalizimit dhe i pandehuri pasi ka lidhur më parë marrëveshje me pronarët e truallit fillon ndërtimin e pallateve shumëkatëshe të banimit, apartamentet e të cilit i  shet (tjetërson) tek të tretët dhe jo banorëve që ju shemben ndërtesat. Duke vepruar si më sipër, i pandehuri Namik Pelivani ka konsumuar elementet e veprës penale të “Mashtrimit” në dëm të disa personave duke u shkaktuar atyre pasoja të rënda ekonomike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb