Dy vëllezërve me precedentë penalë iu është sekuestruar pasuria me vlerë 150.000 euro. Burime zyrtare nga policia e Tiranës bënë me dije se specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se bëhet fjalë për dy vëllezërit Arjel dhe Oltjon Legisi, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve ndaj jetës. Nga të dhënat e marra shtetasi Arjel Legisi është arrestuar në Spanjë në 2018 pasi akuzohet për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, e kryer në bashkëpunim.

Ndërsa shtetasi Oltjon Legisi, është nën hetim nga autoritetet Spanjolle për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur dhe “Shfrytëzim i prostitucionit”.

Gjithashtu, në zbatim të këtij procedimi si dhe vendimit të Prokurorit u bë sekuestrimi i pasurive të shtetasve të lartpërmendur dhe familjarëve të tyre që arrijnë vlerën 150.000 euro. Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb