Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka marrë dje vendimin për shuarjen e masës së sigurisë “Arrest me burg” ndaj ish kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe.

Kujtojmë se Tushe u dënua me 2 vite e 4 muaj burg dhe heqje të së drejtës për 5 vite që të mbajë funksione publike, në korrik të vitit të kaluar.

Ish-kryebashkiaku i Lushnjes shpërdoroi detyrën për shkak se lejoi një ndërtim pa leje në qytet, ndërsa abuzoi edhe me fondet e karburantit të bashkisë që ai drejtoi për më shumë se një mandat.

Njoftimi për mediat: 

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja kryesues, Igerta Hysi anëtare dhe Dhimitër Lara anëtar, sot më datë 26.01.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 28 akti, datë 25.01.2023 regjistrimi, regjistruar mbi kërkesën e të pandehurit F.T., për konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit personal “arrest në burg” dhe vendosi:
– Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit “arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit z. F.T., me vendimin nr. 50 datë 05.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit z. F.T. nga ambientet e paraburgimit nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb