Kryeministri Edi Rama ishte këtë paradite te stadiumi “Air Albania” për të parë nga afër procesin e vaksinimit të personaliteteve dhe njerëzve të thjeshtë mbi 80 vjeç.

Duke folur për media, Rama i cilësoi të neveritshme dhe çnjerëzore akuzat e politikanëve për vaksinimin e personaliteteve, duke thënë se duhet të presim që ata të ndërrojnë jetë, për t’i vlerësuar apo dekoruar.

“Qëllimi është që ky proces të vazhdojë pa ndërprerje. Kjo do të varet nga dozat që do të kemi në dispozicion. Unë kam shumë besim që do të sigurojmë doza plus në ditët dhe javët në vijim. Më vjen shumë keq për shkulmën e padenjë dhe të neveritshme të disa pseudopersonaliteteve që kanë akses në ekrane, që në mënyrën më çnjerëzore përhapën një tym krejtësisht të panevojshëm, sepse këta njerëz që vaksinohen sot janë të gjithë në kategorinë e plus 80-vjeçarëve dhe fakti që vaksinimi nis me një numër shumë modest, në krahasim me numrin e përgjithshëm që i kanë dhënë kaq vendit e shoqërisë, është një shprehje shumë e sinqert dhe shumë e thjeshtë, e kuptueshme, e një përkujdesjeje për këta njerëz, të cilët nuk duhet të presim të ndahen nga jeta për t’iu mbajtur fjalimet e për t’iu dhënë dekoratat, sic tanimë është bërë një trend qesharak në Presidencën e Republikës. Të bëjmë atë që mund të bëjmë sot për sot. Nga ana tjetër, këtu nuk bëhet fjalë për asnjë lloj diferencimi, sepse këta njerëz i përkasin kësaj kategorie. Në sallë ka njerëz të njohur, por edhe krejtësisht të panjohur. Kjo do të vazhdojë gjatë gjithë ditës dhe kështu do të bëhet për të gjithë. Nuk do të zbritet më poshtë, pa përfunduar kjo kategori”, tha Rama.

Kur do të nisë vaksinimi i mësuesve?
Do të vazhdojmë me më të moshuarit dhe pastaj me këto kategori. Rëndësi ka që me dozat që kemi në dispozicion do të përfundojmë plotësisht vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve. Po punojmë çdo ditë e natë për të garantuar më shumë doza, më shpejt. Ne kemi arsye të jemi besimplotë që do ja dalim për skenarin e vaksinimit për 14 muaj. Është një ambicie e madhe. Dua t’iu them disave që thonë ‘shkoni e merrini nga Kina, jepni lekët’. Nuk kanë nxjerrë tezga dhe o burra kush shkon t’i marrë. E vërteta është se nuk ka vaksina. Ne jemi besimplotë se do të kemi një qartësi shumë shpejt dhe një bazë të gjerë dozash.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb