TIRANË- Kryeprokurori Adriatik Llalla dhe prokurorët e çështjes së deputetit të PKD-së, Mark Frroku shkojnë në Belgjikë për akuzat e ngritura në drejtim të tij në këtë shtet. Mësohet se vizita e Llallës në Belgjikë është zyrtare, ndërsa shoqërohet nga dy prokurorët Madrid Kulloli dhe Rovena Gashi.

Pritet që ata të zhvillojnë takime në lidhje me çshtjen në ngarkim të deputetit Frroku.

DOSJA BELGE
Kujtojmë se para 1 jave nga Belgjika mbërriti dosja me 2500 faqe për Mark Frrokun. Rreth një javë më parë, në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë, ka mbërritur dosja e Prokurorisë së Brukselit për vrasjen e emigrantit shqiptar Aleksandër Kurti në mars 1999. Dosja penale për deputetin Mark Frroku u kërkua nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë më datë 28 mars 2015, dy ditë pas arrestimit të deputetit. Pas mbërritjes në Ministrinë e Drejtësisë, dosja penale mësohet se ka nisur të përkthehet në gjuhën shqipe për t’iu vënë më pas në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme.
Kjo e fundit ka regjistruar procedim penal për akuzën e vrasjes me dashje ndaj deputetit Mark Frroku, bazuar në një njoftim të shpërndarë nga Interpoli që nga dhjetori i vitit 2014. Bazuar në këtë dosje të hapur, Prokuroria kërkoi arrestimin e Mark Frrokut, i cili ishte lënë ndërkohë në arrest shtëpie nga Gjykata e Lartë për çështjen e “dëshmisë së rreme” në dosjen e deputetit Tom Doshi.

GJYKIMI NË SHQIPËRI
Dosja penale e ardhur nga Belgjika ende nuk ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme, edhe pse procedura ka edhe disa ditë afat. Burime nga hetimi i çështjes kanë thënë ndërkohë se pala belge në dosjen e saj nuk ka sjellë kërkesë për ekstradimin e deputetit në Belgjikë. Kjo, me sa duket, ka ndodhur për shkak të faktit se Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi drejt Belgjikës për shtetasit që arrestohen në vendin tonë. Në këtë mënyrë, deputeti Mark Frroku do të gjykohet në shtetin shqiptar në lidhje me vrasjen, për të cilën akuzohet se e ka kryer në Belgjikë, në mars të vitit 1999. Për ekzekutimin me thikë të shtetasit Aleksandër Kurti ishin akuzuar gjithsej katër persona, ndërkohë që sipas Prokurorisë belge, personi që ka qëlluar viktimën ishte Mark Frroku. Ky i fundit e ka mohuar akuzën, ndërsa çështja ndaj tij pas dënimit me dhjetë vjet burg është kthyer për rigjykim. Pjesa e fashikullit ndaj Mark Frrokut ishte në proces rigjykimi në Bruksel bashkë me një person tjetër, ndërsa dënimi për dy të akuzuar të tjerë për ngjarjen mori formë të prerë në Belgjikë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: