TIRANE- LSI dhe LRI e Shkodrës kanë gati një padi penale për shpifje ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ka publikuar një ditë më parë një foto në profilin e tij Facebook, ku pretendonte që LSI në Shkodër, i blinte votat duke shpërndarë kupona.

Duke i quajtur akuzat shpifje dhe foton falsifikim LSI dhe LRI e Shkodrës, “hedhin poshtë me neveri shpifjen e radhës së Sali Berishës dhe gazetës “RD”, të cilat kërkojnë të manipulojnë të vërtetën dhe të dezinformojnë opinionin publik. LSI dhe LRI Shkodër kanë përgatitur një padi penale për shpifje dhe falsifikim ndaj Sali Berishës, i cili pretendon se në Shkodër po shpërndahen “tollona për blerjen e votës”, duke shfaqur në gazetën “RD” një çmim të shpërndarë në një aktivitet të LRI-së dhe të transmetuar edhe në mediat lokale. LSI dhe LRI Shkodër kërkojnë dhe nxisin një hetim të shpejtë dhe të thelluar të të gjitha këtyre pretendimeve absurde, të cilat jo pa qëllim bëhen në këto momente”,- thuhet në këtë deklaratë.

Më tej, “LSI dhe LRI Shkodër janë të bindura se këto akuza janë pjesë e një strategjie tashmë të njohur fyerjesh dhe shpifjesh, me të cilën kërkohet të mbulohet frika e humbjes së thellë në Bashkinë e Shkodrës dhe në të gjithë Shqipërinë. Kjo është gjithashtu një pjesë e skenarit të mundshëm të bojkotimit të zgjedhjeve, pikërisht për shkak të frikës së pashmangshme të humbjes. LSI dhe LRI Shkodër do të informojnë opinionin publik, faktorin ndërkombëtar dhe OSBE/ODIHIR përsa pretendohet dhe kërkojnë nga gazeta “RD” të botojë, sipas ligjit këtë reagim zyrtar”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: