TIRANE

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë ka reaguar pas denoncimit të deputetes së PD Jorida Tabaku dhe këshilltarit ligjor Gazmend Bardhi se është lidhur kontratë me biznesmenin e akuzuar per trafik droge, Edmond Bego, për të ndërtuar pallate në zonën e Unazës së re.

Përmes një njoftimi, Ministrja e Financave shprehet se kërkesa për privatizim, është bërë dhe miratuar në vitin 2007, me firmën e Ministrit te PD, Genc Ruli.

“Në vitin 2016 Ministria e Financave finalizoi procesin e shitjes me trashëgimtarët e ligjshëm të truallit, sipas kontratës bashkëngjitur, ku asnjë nga personat e palës blerëse nuk rezulton të jetë Edmond Bego”- thotë Ministria e Financave.

Sipas MF, në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Ish-Pronarëve, me Vendimin nr.8 datë 20.04.1995 vendosi të njohë Maliq dhe Hamdi Pinari, ish-pronarë mbi një truall me sipërfaqe 34.000 metra katrorë që ndodhet në lagjen e Re të Tiranës si dhe trualli i lirë me siperfaqe 10 mijë metra katrorë t’i njihet dhe kthehet pronarëve.

Deklarata e Ministrisë së Financave:

Një sqarim për zonjën Tabaku që sot sërish gënjeu qytetarët shqiptarë, për një proces privatizimi të iniciuar nga vetë Partia e zonjës Tabaku.

Për qytetarët, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe më pas Ministria e Financave, nuk ka lidhur asnjë kontratë me personin apo kompaninë në fjalë. Kërkesa për privatizim, është bërë dhe miratuar në vitin 2007, me firmën e Ministrit Genc Ruli. Në vitin 2016 Ministria e Financave finalizoi procesin e shitjes me trashëgimtarët e ligjshëm të truallit, sipas kontratës bashkëngjitur, ku asnjë nga personat e palës blerëse nuk rezulton të jetë z. Bego.

Për ta sqaruar më në detaje:

Në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Ish-Pronarëve, me Vendimin nr.8 datë 20.04.1995 vendosi:

1- Të njohë Maliq dhe Hamdi Pinari, ish-pronarë mbi një truall me sipërfaqe 34.000 metra katrorë që ndodhet në lagjen e Re të Tiranës
2- Trualli i lirë me sip. 10 mijë metra katrorë t’i njihet dhe kthehet pronarëve
3- Trualli i zënë nga serat, duke përfshirë dhe magazinat e saj iu është njohur pronarëve (trashëgimtarëve të tyre) si dhe iu është dhënë e drejta e parablerjes, kur ato të privatizohen

Në vitin 2007 Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli, kërkoi miratimin e Këshillit të Ministrave për kërkesën e trashëgimtarëve për privatizimin e pronës së sipër-përmendur.

Këshilli i Ministrave në vitin 2007, me një shkresë cuditërisht “urgjente” për një procedurë të tillë, (Nr. 991/2 dt. 05.04.2007) shprehet dakord për miratimin e privatizimit të objekteve “stacioni i gjedhit” dhe “sera dhe magazinë”, sic tregohet në dokumentin bashkëngjitur, që i hapi rrugën miratimit të procedurës së privatizimit.

Në vitin 2007! Pra, në kohën e qeverisë së zonjës Tabaku.

I gjithë procesi i ndjekur pas miratimit të privatizimit, është thjesht procedurë. Në vitin 2015, Agjensia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në përgjigje të interesimit të Ministrisë së Financave, ka konfirmuar Vendimin e vitit 1995 mbi njohjen e pronësisë së truallit dhe të drejtën e parablerjes për ish-pronarët.

Procedura e shitjes u finalizua mes Ministrisë së Financave dhe palës blerëse (të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të truallit), me kontratën e shitjes nr. 157 Rep. 119 Kol, datë 09.06.2016. Për palën blerëse kanë nënshkruar kontratën të gjithë trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar “Maliq dhe Hamdi Pinari”, ku në asnjë rast nuk figuron asnjë person me emrin e permendur nga Partia Demokratike (kontrata bashkëngjitur).

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb