Zyra vendore e Arsimit Parauniversitar në Kamëz ka reaguar ndaj deklaratës së dhënë nga anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD, Mimoza Hajdarmataj, për mënyrën se si po vijon procesi mësimor në disa shkolla.

Sipas Zyrës vendore të Arsimit Parauniversitar, mësimi ka nisur normalisht në të gjitha shkollat më datë 12.09.2022.

Kjo zyrë e ka cilësuar reagimin e PD, si jo serioze. Ata thonë se për nxënësit që kanë shkollën më larg se 5 km, kanë siguruar mjete transporti, ndërsa shtojnë se mësimdhënia po kryhet në kushte moderne e bashkëkohore.

REAGIMI I PLOTE:

Në keqardhje të plotë për shpifjet dhe përdorimin e nxënësve të shkollave nën juridiksionin e Zyrës Vendore Arsimore Kamëz për interesa politike, dëshirojmë të bëjmë me dije se në të gjitha shkollat e ZVAP Kamëz procesi mësimor ka nisur më dt. 12 .09.2022.

Pushteti vendor, por edhe Zyra Arsimore janë kujdesur që të gjithë nxënësit ta nisnin këtë vit të ri shkollor sa më mirë.

Është për të ardhur keq që nuk pasqyrohet realiteti në lidhje me punën serioze që po bëhet me arsimin në Kamëz, nuk vihen re shkollat dhe godinat e reja që janë ndërtuar me të gjitha kushtet më të mira, të cilat sot janë fakt i prekshëm nga gjithë komuniteti.

Duhet të theksojmë se shkollat që janë bërë pjesë e rikonstruksionit janë institucione me kushte infrastrukturore të vështira dhe të rrezikshme për jetën e nxënësve dhe stafeve pedagogjike.

Por, në asnjë rast nxënësit nuk përshkojnë 5 km për të ndjekur mësimin në godinat në të cilat janë zhvendosur. Pushteti lokal ka ofruar shërbimin e transportit (me autobusë) për nxënësit e këtyre shkollave.

Nxënësve u është ofruar pagesa e transportit nga ana bashkisë, edhe pse pjesa më e madhe e nxënësve janë në distancë më të afërt me shkollat përkatëse se sa përcaktimi i VKM-së së transportit.

Zyra Arsimore e Kamzës ka qenë mjaft e kujdesshme për të gjithë nxënësit për sa i përket të drejtës së transportit, duke marrë të dhëna të përpikta për largësinë dhe kilometrat që nxënësit duhet të përshkojnë çdo ditë. Edhe pse distanca për nxënësin mund të jetë 1 – 1, 5 km, nxënësve u është ofruar shërbim transporti.
Në të gjitha shkollat ku nxënësit janë vendosur, ofrohen kushte mësimore infrastrukturore bashkëkohore.

Falë investimit që Bashkia Kamëz ka bërë në infrastrukturën arsimore, sot kemi shkolla dhe institucione arsimore me kushte dhe standardet më të mira.

Theksojmë se në asnjë rast nuk është cenuar qoftë edhe një minutë e procesit mësimor. Drejtoritë e shkollave, stafet pedagogjike kanë qenë gjithmonë të gatshëm dhe të angazhuar për një mbarëvajtje të mirë e të suksesshme të procesit mësimor.

Mirëpresim dhe jemi mjaft të hapur ndaj çdo kërkese apo ankese që prindërit apo nxënësit mund të hasin.

Faleminderit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb