Nga: KLODJANA HAXHIAJ*
DURRES – Kapiteneria e Përgjithshme e Porteve ka reaguar sot në lidhje me përfshirjen e palës shqiptare në operacionin për mbajtjen nën kontroll të anijes “Norman Atlantic”, e cila u përfshi nga flakët pak ditë më parë në afërsi të Korfuzit. Hysni Aruci, kapiten i porteve, iu përgjigj akuzave të ngritura nga prokurori i Barit, për përfshirjen e rimorikiatorëve shqiptarë në operacionin e zhvilluar për tërheqjen e anijes së djegur.

“Në datën 29 Dhjetor në orën 16 e 10 minuta pak minuta pasi ishin evakuuar të gjithë pasagjerët nga trageti në flakë, nëpërmjet helikopterëve, anija u braktis nga komanda e saj. Anija gjendej 4 milje larg bregut të Vlorës, dhe përbënte një rrezik potencial, për trafikun detar dhe vetë portin, për shkak, të rrezikshmërisë që kishte një anije e tillë. Komanda e operacionit nuk vendosi që të afroheshin 4 rimorikiatoët e ardhur nga Italia për të mbajtur anijen të palëvizur. Pala shqiptare mbeti në pritje. Në kushtet kur një anije e pakomandueshme me kurs 143 gradë në drejtim të tokës, vendosëm që me rimorkiatorin “Adriatik” të kapim tragetin dhe ta mbajmë në atë pozicion për të shmangur lëvizjen drejt tokës. Trageti ishte i rrezikshëm, qoftë për anijet ku zhvillohej operacioni, apo edhe rënia në cekëtinë. Dëmet do të ishin katastrofike. Biseduam me ministrin Haxhinasto që anija të mbahej në ato kushte nga rimorkiatori “Adriatik””- deklaroi Aruci.
“Në datë 30 Dhjetor, vendosëm që riomorkiatori “Iliria” të shkonte në vendngjarje e ti jepte ndihmë rimorikiatorit “Adriatik”, që mbante tragetin “Norman Atlantik” të palëvizur, në kushtet e një moti ekstrem. Këputja e cimës si pasojë e kushteve të motit bëri që të bllokohej helika dhe një pjesë e cimës goditi dy marinarët Petrit Jahja e Edmond Hila që humbën jetën. Ishte një incident i rëndë. Vetëm në orën 15:00 të datës 31 Dhjetor, Gjykata e Vlorës miratoi kërkesën e Prokurorisë së Barit për sekuestrimin e tragetit “Norman Atlantik” për llogari të hetimit. Pas kësaj katër rimorkiatorët italianë u lidhën me tragetin, dhe rimorkiatorët shqiptarë u tërhoqën.”- vijoi më tej kapiteni i porteve.

Aruci tha se “pala shqiptare ka ndërhyrë si palë që ka autoritetin, sepse ngjarja ndodhte në ujërat tona territoriale, 4 milje larg prej bregdetit të Vlorës”.

Sipas kapitenit të porteve, hetimi është i gjithanshëm, por humbja e jetës së dy marinarëve shqiptarë mund të shmangej. “Incidenti me vdekjen e dy marinarëve shqiptarë, mund të ishte shmangur, nëse komanda italiane do të ndërhynte të mbante tragetin me katër rimorikiatorët që ishin vetëm një milje larg anijes në flakë. Nuk do të ishte e nevojshme që pala shqiptare të dërgonte rimorikiatorët e saj që kanë mbajtur të vetëm anijen e braktisur në det të hapur, dhe përbënte rrezik potencial.”

Një ditë më parë “IMO” organizata ndërkombëtare e detarisë në një deklaratë për shtyp, ka përmendur incidentin që ka ndodhur dhe humbjen e jetës së dy marinarëve shqiptarë, duke vlerësuar kontributin e palës shqiptare në këtë operacion ndërsa pala Italiane nuk e pa përmendur për asnjë moment humbjen e jetës nga dy marinarëve shqiptarë në operacionin e mbajtjes së anijes “Norman Atlantik”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb