Kina ka hedhur poshtë akuzat se ishte në dijeni të planeve të presidentit Putin për të pushtuar Ukrainën, duke pretenduar se nëse do të ishte në dijeni, apo paralajmëruar më parë do të ishte përpjekur të parandalonte sulmin.

Është ambasadori kinez në Uashington Qin Gang, ai që ka hedhur poshtë deklarata të tilla.

Ai hodhi poshtë pretendimet se Putin i tha presidentit Xi paraprakisht se ai do të pushtonte Ukrainën, në përfundimin e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit.

Dyshja u takuan më 4 shkurt, ditën e hapjes së Lojërave ku edhe deklaruan se të dy vendet janë të vendosur të thellojnë bashkëpunimin mes tyre.

Ndërkohë që lojërat përfunduan më 20 shkurt, ndërsa Putin që urdhëroi katër ditë më vonë nisjen e sulmeve në Ukrainë.

“Më lejoni ta them këtë me përgjegjësi se pohimet se Kina e dinte për sulmin  dhe e mbështeti në heshtje këtë luftë janë thjesht dezinformata”, ka thënë ambasadori kinez në Uashington.

“Të gjitha këto pretendime i shërbejnë vetëm qëllimit të zhvendosjes së fajit dhe hedhjes së baltës ndaj Kinës. Në Ukrainë kishte më shumë se 6000 qytetarë kinezë. Kina është partneri më i madh tregtar i Rusisë dhe Ukrainës, dhe importuesi më i madh i naftës bruto dhe gazit natyror në botë. Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës nuk i shërben aspak mirë Kinës . Sikur Kina të dinte për krizën, ne do të kishim bërë maksimumin për ta parandaluar atë”, ka thënë më tej ai.

Sakaq Pekini ende nuk e ka dënuar Moskën për pushtimin, duke shuar shpresat në Perëndim se Xi mund të shfaqej me një rol paqësor.

Nga ana tjetër Inteligjenca perëndimore kishte pohuar më parë se zyrtarët e lartë kinezë u kërkuan homologëve të tyre rusë që të mos pushtonin deri pas përfundimit të Lojërave Olimpike Dimërore.

Presidenti Xi, pretendohet se kishte kërkuar siguri se asgjë nuk do të largonte vëmendjen nga Lojërat.

Uashingtoni pretendon se Rusia i ka kërkuar Kinës pajisje ushtarake, pasi furnizimet po mbarojnë dhe pushtimi i Ukrainës po ngadalësohet, por edhe kjo është hedhur poshtë.

“Paqja dhe stabiliteti afatgjatë i Evropës mbështetet në parimin e sigurisë së pandashme. Duhet të ketë një arkitekturë sigurie evropiane të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme. Prioriteti tani është arritja e një armëpushimi për të mbrojtur civilët nga lufta. Ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që mundemi Qëllimi ynë përfundimtar është fundi i luftës dhe mbështetja e stabilitetit rajonal dhe global.”, ka thënë më tej ai, shkruan The Times.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: