Deputeti demokrat, Dashnor Sula i ka dalë në mbrojtje koleges së tij, Jorida Tabaku pas akuzave të shumta gjatë ditës së sotme ndaj saj nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Gjatë debatit në Kuvend lidhur me hetimin ndaj inceneratorëve, Spiropali e akuzoi Tabakun se po bën rolin e prokurores në drejtim të komisionit hetimor.

Gjatë diskutimit në seancë, deputeti demokrat, Dashnor Sula u shpreh se të gjithëve në atë sallë duhet t’u vijë turp për atë qëndrim që kanë mbajtur deri më sot ndaj kësaj çështje.

“Ndihem i nderuar që jam pjesë e këtij parlamenti, ku një zonjë e nderuar si zonja Tabaku që për hir të së vërtetës, fjalimi im, nuk do kishte asnjë vlerë para asaj që foli ajo dhe me aq shifra të sakta sa foli, do të bënte krenarë jo vetëm zonjat e këtij Parlamenti por edhe ne meshkujt duhet të na vijë turp për atë qëndrim që kemi mbajtur gjatë këtyre viteve dhe që nuk kemi treguar atë integritet që ka treguar zonja Tabaku”, u shpreh Sula.

Sipas tij “ashtu siç e shpjegoi qartë dhe saktë zonja Tabaku, ata persona që kanë ikur në drejtim të paditur, Mërtiri, Gugallja dhe Zoto kanë ikur me bekimin e kësaj qeverie. Dy persona nga ata janë të pajisur me pasaporta të vendeve të BE-së, i kanë përgatitur që më parë. Janë një grup i strukturuar kriminal. Rama është padrino, i cili u jep udhëzimet atyre. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Si ka mundësi që Rama di gjithçka, por nuk di se paskan ngjyer duart ministrat e tij, drejtorët e tij, apo njerëzit e tij? Mashtrim më i madh nuk mund të ekzistojë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb