Analisti Genc Burimi në një lidhje me Skype për “News 24”, duke folur për akuzat e Gjykatës së Hagës kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-luftëtarëve të tjerë të UÇK-së, deklaroi se Kosova nuk mund të sulmohet kaq egërsisht, ndërsa shtoi se lufta e shqiptarëve kundër Serbisë, ishte për liri.

“Është një poshtërim që i bëhet Kosovës dhe luftës së shqiptarëve për lirinë e tyre. Shija e parë që kam është shija e hidhur. Kjo valë akuzash ka vite, nga raporti i Dick Marty deri tek Carla Del Ponte. Berisha ishte në pushtet dhe tha se janë shaka, por duhet të ishin marrë seriozisht. Është imazh negativ.

Lufta e shqiptarëve të Kosovës ishte për liri, si ishte lufta e kroatëve dhe popujve nën ish-Jugosllavi. Nga ana e reputacionit, e keqja po bëhet. Duhej lobuar se Kosova është viktimë, ne bëjmë lobime më koti, Serbia bën lobime në shtetet arabe që të mos njohin Kosovën. Ky është dificit i klasës politike në Kosovë e Shqipëri”, tha Burimi.

Genc Burimi nënvizoi se akuzat ndaj Thaçit dhe të tjerëve bëhen nga teknokratë europianë.

“Kosova ishte foshnjë e bashkësisë ndërkombëtare dhe tani po tradhtohet. Kjo ndodh, sepse në Europë zyrtarët janë për katër vjet e ndryshojnë gjërat. Ne i besojmë shumë Europës, por të gjithë janë teknokratë. Lu ishte teknokrat për shembull. Europa ka 5 vende që nuk e njohin Kosovën. Kosova është pjesë e Kushtetutës të Serbisë dhe nëse nuk hiqet Kosova nga ajo kushtetutë, nuk ka zgjidhje. Trump shikon ekonominë dhe prandaj serbët janë më pro Donald Trump. Kosova është çështje e afatgjatë”, u shpreh Burimi.

Në lidhje me zgjedhjet në SHBA, Burimi deklaroi se duket se popujt janë duke zgjedhur të votojnë për mirëqenien ekonomike.

“Pavarësisht se Trump mund të ikë, trumpizmi do të ngelet. Popujt zgjedhin në tërësi ekonominë. Në Kinë, kinezët nuk ngrihen sepse kanë siguri, kanë një ekonomi disi të qëndrueshme. Donald Trump ka rivalizuar Biden dhe ka 4 milionë vota më shumë sot. Trump mbështet elektoratin e tij, pavarësisht ndikimeve të demokracisë.

Kjo botë po përbuz demokracinë, si në SHBA, si në Kinë, në Rusi, Indi etj. Popujt mendojnë edhe kundër kastave, sepse mendojnë së pikërisht kastat përfitojnë shumë. Europa perëndimore mbetet ishull i demokracisë. Sot sfidë mbetet ekonomia. Sfida e Biden, nëse fiton është që bashkë me demokracinë, të rrisë edhe ekonominë. Kjo ndodh edhe në Shqipëri, njerëzit mendohet për ekonominë. Është e çuditshme që Trump fiton në Florida, ku ka shumë amerikano-latinë, e pra është e habitshme”, tha Burimi.

Më tej, ai vlerësoi se vetëm arsimimi mund të shpëtojë demokracinë perëndimore dhe nivelin e saj të lartë ekonomik.

“Në Francë janë hapur libraritë. Kjo ndodh, sepse Makron thotë se leximi e edukimi mund të shpëtojë demokracinë perëndimore. Kjo sepse një i lexuar nuk voton Trump, as forcat ekstreme që mund të sjellin deri fashizëm. Në Francë e Europën Perëndimore fjala e lirë është e shenjtë. Anglia e Franca nuk e kanë njohur fashizmin. Klasat e paarsimuara votojnë Trump apo Le Pen. Trump nuk vendos dot fashizëm, ndërsa Le Pen është rrezik”, përmbylli Burimi.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb