Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me përfshirjen e kryeministrit Rama në skandalin e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal.

Klosi deklaroi se politika në vend i “100-fishon” skandalet, ndërsa shtoi se Charles McGonigal është paraqitur në gjykatë për shkak se ka shkelur disa rregulla të SHBA-së dhe se lirimi i tij me kusht tregon se ai nuk mund të prishë prova në lidhje me ngjarjen.

Më tej ai shtoi se kryeministri Rama “nuk është budalla” për të bërë gabime të tilla, ndërsa vijoi duke thënë se në fund gjithë ngjarja do dalë diçka pa rëndësi.

Nga ana tjetër avokati Genc Gjokutaj deklaroi se Rama po gabon më mbrojtjen që po i bën vetes në këtë rast, pasi sipas tij ai duhet të ishte i pari që duhet t’i hapte rrugën një hetimi ndaj tij.

Gjokutaj shtoi se gjyqi i McGonigal në vetvete është shumë i vështirë dhe se SPAK ka autoritetin për të kërkuar dosjen nga autoritetet homologe në SHBA për të gjykuar nëse Rama është i implikuar.

Sakaq, ai iu përgjigj deklaratës së Klosit se “Rama nuk është budalla” duke thënë se këto nuk janë çështje budallallëku por se “këto punë i bëjnë të zgjuarit”.

Klosi:
Është një histori 30-vjeçare, kjo ka qenë gjithmonë në parlament. Politika i 100-fishon skandalet, të dyja palët, ata me këtë merren, nuk merren me atë që do bëjnë vetë. Është për të ardhur keq që përfaqësuesit e popullit e trajtojnë njëri-tjetrin kështu. Ata na mësojnë që ai për të cilin keni votuar është hajdut, etj, vjen tjetri thotë është vrasës, etj.

Një nëpunës i lartë i FBI-së, përveç policisë federale kanë dhe shërbimin anti-spiunazhit. Në të gjitha vendet, po sidomos në SHBA njerëz të rëndësishëm kur dalin në pension shkojnë nëpër firma, institucione financiare, meqë kanë mbledhur eksperiencë të madhe, për të fituar para. Deri këtu shoh një gjë normale. Përderisa është paraqitur në gjykatë, dhe e kanë liruar me kusht do të thotë se nuk prish dot provat, etj. Fakti që atë e kanë akuzuar tregon se ka shkelur ca rregulla, nuk ka deklaruar kë ka takuar, nuk ka treguar as paratë që ka përfituar nga kjo punë. Për të gjitha këto faktorë ai ka shkelur ligjin e SHBA-së dhe po gjykohet për këtë.

Tani ai thuhet se ka takuar kryeministrin, kjo përbën faj? Unë po pres që gjërat të zhvillohen, SPAK le të merret me këtë punë nëse gjykon se ka diçka. Kush i ka dhënë paratë e ka thënë vetë i zoti i tyre. Në Shqipëri janë 2 institucione që merren me këto punë, politika që kërkon baltë për të hedhur dhe media që kërkon skupin, që për çdo gjë kërkon të japë mendim.
Keni për ta parë që do dali një skifo, kryeministri nuk është budalla të ketë bërë gabime të tilla. Berisha thotë që të japë dorëheqjen, harron që ai ka maxhorancën. Opozita nuk mund të sajojë gjëra që nuk ekzistojnë, unë pres si qytetar, jam i interesuar se çfarë ndodh, kanë thënë edhe për mua në komision hetimor parlamentar. Ai nuk lexoi as akuzën në seancë, la 500 mijë dollarët dhe iku.

Gjokutaj:

Te rasti i Ramës jemi në një propagandë ku shumë media i shkojnë versionit që kjo çështje nuk ka problematika dhe asgjë mbrapa. Unë mendoj se ai po gabon në mbrojtjen që po i bën vetes, ai duhet të jetë i pari që duhet t’i hapë rrugën hetimeve. Amerikanët kanë një të pandehur, por në këto paragrafë del dhe emri i Ramës.

Njerëzit janë të shqetësuar sepse është përmendur emri i kryeministrit ku kanë qenë në një restorant dhe McGonigal ka marrë 80 mijë dollarë në parking. Gjyqi me vetveten është shumë i vështirë, Rama nuk duhet të vërë pengesa për një investigim mbi të. SPAK duhet të zgjidhë këtë problem, mundet të marrë dosjen nga SHBA dhe ka gjithë materialin nëse implikohet Rama apo jo, kemi dhe heshtje nga Presidenti.

S’është çështje budallallëku, këto punë i bëjnë të zgjuarit. Ai përballet me 20 vite burg minimumi, është krim i rëndë. Ky është në cilësinë e të pandehurit, cilësohet fajtor nga shteti por do kalojë përmes gjykatës. Kur përpilohet një aktakuzë për gjykim mos prisni që provat të jenë aty, ato i shqyrton gjykata, por çdo paragraf që parashtrohet mbështetet nga prova të dorëzuara. Prokurori aty relaton vizitat e tij në Shqipëri që nuk kanë qenë për të parë kalanë e Beratit, ka qenë vizitë jo zyrtare, shpenzimet nuk i ka paguar as ai, as FBI. Ai ka ardhur disa herë në vend. Kryeministri i një vendi si Shqipëria unë e quaj të pamundur ta ketë mik një zyrtar të lartë të FBI-së, ku e bëri mik McGonigal ky? Aferat në Shqipëri i fshehin pas miqësisë politikanët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb