KOSOVE- Tej mase e prekur dhe e zhgënjyer është shprehur Albulena Haxhiu, deputetja e Vetëvendosjes, pas publikimit në media të dokumenteve të saj mjekësore.

Ditën e sotme në mediat kosovare u bënë publike disa dokumente mjekësore të deputetes, në lidhje me fshehjen e gazit lotsjellës që është futur në Kuvend.

Reagimi i Albulena Haxhiut
Të zgjohesh në mëngjes dhe të shohësh në media të publikuara raportet mjekësore. Ky është standard vërtet i ulët. Mjeku nuk guxon kurrë të publikojë të dhënat e pacientit pa miratimin e tij. Të dhënat mjekësore janë tërësisht intime dhe të mbrojtura me ligj. Publikimi i tyre pa konsensus, është i barabartë me dhunimin. Këto medie pra, janë dhunuese.

Megjithatë, siç më ka ndihmuar ta vërtetoj dhe Dr. Jusuf Ulaj, kryetar i shoqatës së neuropsikiatërve shqiptarë, profesionist i njohur i mjekësisë, i cili ka qenë edhe drejtor ekzekutiv i QKUK-së dhe drejtues i lartë klinikash e shoqatash të ndryshme të mjekëve, fotografia e dëshmon atë që kam thënë unë. Në përshkrimin e saj thuhet se unë nuk kam pasur asgjë në trup.

Përveç kësaj, kjo vërtetohet edhe në videot e botuara prej momentit kur policia më përplas përtokë. Aty dëgjohet një anëtare e sigurimit që bërtet me zë të lartë “ia gjeta gazin”. Sigurisht, bëhet fjalë për gazin që e ka prekur në veshjet e mia, më saktësisht në brez.

Pas gjithë tronditjes fizike e emocionale, kjo dhunë psikologjike është e tepërt. Gjithsesi, të gjithë mediat apo gazetarët që kanë shpërndarë këto lajme do të mbajnë përgjegjësi legale. Po ashtu, do të mbajnë përgjegjësi edhe mjekët e policët që janë bërë pjesë e kësaj fushate linçuese. Tashmë jam duke i përgatitur me një grup avokatësh paditë për ta. Nuk do ta lejoj cënimin e identitetit tim, sepse dëshiroj me gjithë zemër që këtë lloj dhune të mos e provojë më askush tjetër. Nuk kam në plan të dorëzohem, dhe nuk kam në plan ta lë të harrohet këtë gjë!

Përndryshe, përdorimi i mjekut për shërbime policore, dhe përdorimi i spitalit si burg për kundërshtarët opozitarë është një karakteristikë tipike e regjimeve fashiste. Unë aktualisht jam në arrest shtëpie, por me gjithë zemër do të doja të isha me qytetarët në shesh, të cilët do të qëndrojnë pa u ndalur aty, deri sa ta bllokojnë zgjidhjen e Thaçit president, dhe deri sa ta ndalin këtë qeveri antikushtetuese të udhëhequr nga njerëz të pamoralshëm, nga hajna e kriminelë. ‪#‎teSheshi‬ ‪#‎kunderThacit‬ ‪#‎prontopresident‬

Donika Kadaj:
Kur mjeku shkel Betimin e Hipokratit dhe bëhet hipokrit, kur mediat shkelin etikën profesionale, kur drejtësinë e bëjnë kriminelët, do i them mikes sime: vazhdo sepse Ti je yjet dhe bota të shikon ty.
Nga prezenca jote, ti dërgon mesazh në çdo fshat, qytet, komb.

Një mesazh shprese! Mesazh fitoreje!
Vetë nuk mund ta ndryshojmë botën, por mund të gjuajmë gurë dhe që krijojnë valë të mëdha.
Unë e di që pavarësisht shigjetave të drejtuara me urrejtje patologjike kundër kauzës që perfaqësonTi, Unë, Ne, do gjejmë çdoherë guximin, pasionin për të luftuar me arsye
Për ‪#‎gratë‬ e fuqishme dhe kundër maskarenjëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: