Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, i pyetur për akuzat ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kreut të PDK Kadri Veseli për kryerjen e 100 vrasjeve, tha se këto akuza ndodhin në mes të përplasjeve mes SHBA-ve dhe BE-së për atë se kush do të drejtojë negociatat midis Kosovës dhe Serbisë.

Nazarko tha se publikimi i këtyre akuzave disa ditë para të bën të dyshosh se mund të synohet sabotimi i takimit në Uashington, pra primati amerikan në negociata.

“Ngjarjet zhvillohen në kohë dhe në hapësirë. Koha e zgjedhur e bën të diskutueshme  publikimin në fjalë. Akt-akuza është dorëzuar më 24 prill 2020. Bërja publike tani kompromenton ngushtësisht qasjen profesionale të akuzës dhe e politizon duam apo nuk duam ne. Në komunikatën për shtyp, ka një fjali alibi pse po bëhet publike akuza sot: sepse zoti Thaçi dhe Veseli po bëjnë përpjekje për të shfuqizuar ligjin për Dhomat speciale pikërisht tani. Kjo fjali, është qartësisht politike dhe nuk ka lidhje me kontekstin penal.  Dhe duam s’duam, përbërja politike e publikimit sot atakon të dy dialoguesit, Thaçin dhe Vuçicin: imagjinoj që dhe Vuçiç nuk mund të rrijë pa folur kundër bashkëbiseduesit të vet pikërisht kur një palë e tretë perëndimore, e akuzon atë”-vijoi ai.

“Ndonëse nuk dua të jem determinist, të vendos lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë midis këtij rivaliteti euroamerikan, dhe publikimit të aktakuzës tani, ky fakt e vështirëson dialogun. Ka dhe ka disa elementë të tjerë që po i parashtroj në vijim”-saktësoi ai.

“Që të kuptohemi, dhe amerikanët, Sekretari amerikan i shtetit Pompeo ka reaguar ndaj përpjekjeve për të shfuqizuar Prokurorinë Speciale, por e bëri këtë disa muaj më parë në përgjigje të një letre të zotit Thaçi. Ndërsa  prokurori europian i Gjykatës speciale zgjodhi momentin disa ditë para negociatave të Uashingtonit!. Analiza ime është  ngushtësisht personale, dhe e gjitha kjo e bën publikimin e aktakuzës të duket si e lidhur me përplasjen SHBA- BE.”

Ai foli më tej dhe për kontekstin ngushtësisht juridik që përftohet nga komunikata e prokurorisë speciale.

“Flitet për qindra viktima në afro 100 raste, dhe ngjan e vështirë të jenë vërtetuar akuzat për secilën prej tyre. Ngjan se ka fituar ideja që çdo krim që ka ndodhur në Kosovë dhe që mund t’i atribuohet UCK, i është atribuar Thacit dhe Veselit, që në fakt janë udhëheqës politikë dhe jo ushtarakë.  Kjo qasje e konsideron UCK-në si ushtri të rregullt dhe kësisoj për çdo krim fajësohen komandantët.  Mirëpo ka një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish Jugosllavi, në rastin Haradinaj dhe Limaj, i cili ka marrë për të mirëqenë pozitën e mbrojtësve të tyre, se UCK nuk ka qenë ushtri e rregullt. Ky vendim duhet të merret parasysh nga gjykatësi tani dhe mund të ishte konsideruar dhe nga prokurorët. Nuk di a ka fakte fajësuese të drejtpërdrejta pas 21 vjetësh, – tha Nazarko.

Cili është konteksti ndërkombëtar i këtij publikimi- tha ai.

“BE sa duket nuk është e kënaqur  që negociatat i drejton SHBA. Pra është goditje e fortë e bisedimeve Kosovë – Serbi në Amerikë. Hyrja e SHBA-ve në dialog e ka energjizuar dialogun që me letrën që Donald Trump iu ka dërguar letër Thaçit dhe Vucicit në 2018. Prej kësaj inisiative  amerikane ka ardhur dhe angazhimi frankogjerman i nivelit të lartë prej Makron e Merkel që nuk kanë lënë rast pa përmendur se dialogu i ndërmjetësuar nga BE- është ai reali.  Më duket se dy udhëheqësit europianë nuk kanë ndonjë dëshirë që në SHBA të fitojë Trump i cili me  dialogun për Kosovën mund të përvetësojë një kartë suksesi edhe në fushatën presidenciale. amerikane”-saktësoi ai.

“ Imagjinoj se ky sulm e disekuilibron zotin Thaçi, madje dhe zotin Vuçiç, si e thashë më parë, dhe ky ngjan se ka qenë qëllimi i publikuesve, prokurorit europian pikërisht tani.”

Pse europianët e kanë me Thaçin? Sipas Nazarkos, Presidenti Thaci e ka tepruar pak me kundër-vënien ndaj BE, duke nënvlerësuar rolin e Bashkimit Europian në dialog në disa raste.  Dhe ky sulm ndaj Thaçit ndodh mjerisht kur pala   shqiptare paraqitet e dobët në bisedime.

I pyetur për thirrjen që zoti Pacolli, ish ministër i jashtëm i ka bërë Presidentit Meta dhe Kryeministrit Rama për një tryezë mirëkuptimi të liderëve shqiptarë në vigjilje të takimit të Uashingtonit, Nazarko tha se pikërisht në një kontekst si ky, vjen  publikimi i aktakuzës për Thaçin, kur pala shqiptare nuk ka platformë profesionale; ka krizë ndërinstitucionale, qeveri të dobët; nuk kanë patur raporte të mira me Shqipërinë.  Ndaj Serbisë, duhet qasje kombëtare- është nënteksti i thirrjes së zotit Pacolli dhe me këtë që ndodhi dobësohet akoma më shumë faktori ynë”, vlerësoi Nazarko. Ai nënvizoi dhe aspektin ekonomik të negociatave dhe duke interpretuar thirrjen e zotit Pacolli, tha se edhe në këtë këndvështrim, shqiptarët kanë pozitë strategjike në rajon dhe duhet të flasin me një zë dhe projekte të përbashkët”-përfundoi ai.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb