Partia Demokratike i është përgjigjur aktivistes Evi Kokalari, e cila tha nga foltorja e ish-kryeministrit Sali Berisha, të mbajtur mbrëmjen e sotme në Durrës, se “Zoti Berisha është përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike pasi është këmbyer me mbylljen e dosjes së korrupsionit të Lulzim Bashës, një dosje që ekziston në Shqipëri dhe në Amerikë. Kjo është e vetmja arsye pse është përjashtuar Sali Berisha.

Më tej, aktivistja Kokalari tha se nëse Basha tenton të futet në Amerikë, ajo bashkë me shqiptarë të tjerë do e çojnë dosjen në kongres.

“Nëse Basha guxon të futet në Amerikë ne do e bëjmë problem dhe do e çojmë në kongres. Lulzim Basha nuk mundi të shpëtojë veten dhe i hapi gropën veten sepse asnjë nga ne nuk ka për ta braktisur ccështjen e zotit Berisha”, u shpreh Kokalari.

Ndërkohë, në një deklaratë zyrtare, PD thotë se Kokalari përsëriti shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, por këto akuza janë provuar që nuk ishin të sakta.

PD shprehet se ditën e nesërme do të padisë penalisht për shpifje Evi Kokalarin, e cila do të duhet të paraqesë në gjykatë akuzat e saj.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE

Një spekulante politike, Evi Kokalari, guxoi sot të përsëriste përpara shqiptarëve shpifjet e Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha. Autoritetet përgjegjëse me kërkesë të vetë Partisë Demokratike hetuan për 2 vite lidhur me shpifjen e Edi Ramës dhe Taulant Ballës, duke provuar në mënyrë ligjore dhe përfundimtare se ato ishin vetëm shpifje.

Ricikimi i të njëjtave shpifje, bëhet për të njëjtin qëllim, atë të mbajtjes në këmbë të regjimit kriminal të Edi Ramës. Për këtë arsye, Partia Demokratike do të padisë nesër penalisht për shpifje znj. Evi Kokalari, e cila mund të paraqitet në gjykatë për të provuar akuzat e rreme me dëshmitarët e saj të rremë Edi Ramën dhe Taulant Ballën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: